Tri palë në përplasjen për tokën te Kepi i Rodonit! Përveç banorëve, kisha në konflikt me biznesin privat! Administratorja e 'Albanian Touriste Resorte': Prona e bllokuar nga SPAK

31 Tetor 2023, 14:21| Përditesimi: 31 Tetor 2023, 20:22

  • Share

Ish-deputeti Mark Frroku dhe 7 personat e tjerë të arrestuar për konfliktin me armë për pronën e kishës në Kepin e Rodonit pritet të dalin në gjykatë. Ndërkohë dokumentet e konsultuara nga Report tv, tregojnë tri palë në konflikt. Përveçse me banorët që pretendojnë tokën, kisha ka mosmarrëveshje me kompaninë private “Albanian Tourist Resort”. Kjo e fundit ka marrë tokën me qira, dhe nuk ia liron Kishës, madje po synon ta rrethojë, edhe pse nuk ka paguar për 6 muaj.

Tetë personat e arrestuarit për konfliktin me armë për pronën te Kepi i Rodonit janë përplasur sërish mes tyre me dëshmitë e dhëna në polici. Ish-deputeti Mark Frroku ka sqaruar se është kontaktuar nga Kisha Franceskane, e cila ka dokument pronësie, për rrethimin e sipërfaqes së pronës prej 5.4 dynym dhe sipas tij janë sulmuar nga fshatarët e zonës. Frroku mohon se është qëlluar me armë gjatë konfliktit.

‘Jemi sulmuar nga një grup fshatarësh të cilët na thanë që të ndërpresim punimet se toka është e tyre. Na kanë goditur dhe ka ardhur policia që ma ka ndarë. Nuk di të ketë qëlluar njeri me armë nga njerëzit që ishin me mua në vendngjarje.’- ka deklaruar Frroku.

Katër personat e tjerë që u përfshinë në konflikt, Bajram Kaculi me banorët e tjerë thanë se kanë shkuar për të mbrojtur pronën që e kanë me letra sipas ligjit 7501, por janë penguar nga njerëzit e kishës dhe janë përleshur me ta ndërsa njëri prej tyre ka qëlluar me pistoletë në ajër por nuk kanë mundur që ta identifikojmë kush ishte. Policia ka shpallur në kërkim Besnik Tomën, shofer i Frrokut për të shtënën me armë.

Në emisionin “Përballje” në Report Tv palët u përplasën sërish. Përfaqësuesja e kompanisë private “Albanian Tourist Resort” që më herët ka marrë për 24 vjet të gjithë pronën me qira, Ana Shtjefni, pretendoi se prona ishte e bllokuar nga SPAK për t’u verifikuar dhe nuk ishte lejuar të vinte rrethimin. Deklaratën ajo e bazon në një dokument të lëshuar në janar 2022 nga Kadastra e Durrësit.

"Prona është e bllokuar nga SPAK për verifikim. E kemi marrë me kontratë qiramarrëdhënie. Është në formë koncesioni në fazë fillestare duke përfshirë dhe planin e zhvillimit dhe në momentin që ka realizuar aktivitete që ka parashikuar do të kalonte në fazën tjetër të zhvillimit”- tha Shtjefni.

Qëndrim të kundërt mbajti avokati i Kishës Franceskane, Sokol Dedndreaj, i cili i vuri Report Tv në dispozicion dokumentin e kthim përgjigjes së SPAK të datës 25 prill 2023 se prona nuk ka qenë në hetim nga SPAK. Ai akuzoi Shtjefnin se nuk ka paguar për 6 muaj qira dhe për këtë arsye është bërë edhe prishja e kontratës mes palëve, megjithëse subjekti privat  “Albanian Tourist Resort” nuk pranon të dorëzojë pronën.

Toka prej 5.4 dynym duket se ka 3 palë në konflikt, jo vetëm Kishën Franceskane që ka dokument pronësie dhe banorët e fshatit Shetaj që e kanë fituar përmes ligjit 7501, por edhe kompaninë që e kishte marrë me qira, “Albanian Tourist Resort”, e cila nuk ka paguar qiranë për 6 muaj radhazi duke sjellë prishjen e kontratës nga Kisha.

Ky akt nuk pranohet nga subjekti privat, që megjithëse nuk ka paguar qiranë e ka çuar çështjen në gjykatë, një situatë kjo që sërish sjell nevojën për ndalimin e veprimeve me pronën deri në zgjidhjen e çështjes nga drejtësia. Referuar ekstraktit të QKB-së, “Albanian Tourist Resort” ka 2 ortakë, Ana Shtjefnin dhe Gëzim Taren, ndërsa më herët ka qenë ortak Balë Vukasani, i cili është tërhequr në vitin 2017. Ky i fundit rezulton të jetë ish-kryetari i komunës Shalë në Shkodër, i zgjedhur nga Partia Socialiste.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • nari: 01/11/2023 16:30

    po si ka mundesi qe nje prone te kete 2 pronare? akoma si ne 90'? prandaj jene mbushur varrezat e deshmoreve te kombit me heronj

    Përgjigju
  • Maksi: 31/10/2023 18:35

    Shef ti apo jo?! I paska fut koncensionin kumbar Rama edhe kepit per llogari te vrasesve dhe trafikanteve Frroku, pjese e rrjetit te organizuar kriminal sebashku me Dosha e Kodosha per veriun. Po me kishen cpaten....

    Përgjigju
  • shqip: 31/10/2023 18:22

    Toke shteterore qe rrahen se kush e ka grabitur i pari. Albanistan qe po rregullohet pasi slane gje pa grabitur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?