Ish-diplomati Lutfi Bilalli ka komentuar në ‘Studio Live’ takimin mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit Donald Trump në Zyrën Ovale, duke e cilësuar si një përballje që ka zbuluar qasjen e ashpër të SHBA-së ndaj konfliktit në Ukrainë.
Sipas tij, Zelensky shkoi në këtë takim nën presion dhe i mbështetur nga aleatët evropianë, por kjo nuk garanton mbrojtjen afatgjatë të Ukrainës.
'E tëra tregon gishtin e të fortit. Ka qenë turpërim. Të gjitha ato skena nuk kanë qenë një lloj loje, njerëzit mund ta marrin si agresivitet i Trump. Dhe është e qartë. E tëra ka filluar mes JD Vance dhe Zelensky. Taktikisht Zelensky ka shkuar me një dozë nervoze, por edhe i mbushur nga aleatët evropianë. Në këto momente mund ta mbrojnë Zelenskyn por a do mbrojnë Ukrainën.'
Bilalli paralajmëron se Ukraina po shkon drejt ndarjes dhe kolonizimit, duke e krahasuar situatën me një “Jaltë të re”, ku fuqitë e mëdha vendosin fatet e shteteve më të vogla. Ai shton se supremacia amerikane po imponon zgjidhje në formë "buldozeri", ndërsa Lavrov kërkon rikthimin e NATO-s në kufijtë e para vitit 1997.
'Ky takim tregon se supremacia amerikane problemi i zgjidh dhe në formë buldozeri. Dihet se Zelensky ka tentuar të mbrojë atë që mund të mbrohet. Ukraina po ndahet por edhe po kolonizohet. Kemi hyrë në një ndarje, Jaltë të re. Zelensky është një lloj kurbani. Rezultati mund të jetë për kokën e tij dhe fatin e zi të Ukrainës, ka hyrë në një rrugë që nuk çon askundi.'
Në këtë kontekst, analisti thekson se Europa duhet të rrisë kapacitetet e saj mbrojtëse, përndryshe mund të përballet me një riformatim të hartës së ish-Bashkimit Sovjetik. Ai argumenton se Gjermania nuk mund të marrë primatin e forcës për shkak të së kaluarës, ndërsa SHBA vijon të mbajë bazat e saj ushtarake në Estoni dhe vende të tjera strategjike.
'Dy luftërat botërore kanë nisur nga shtetet europiane. Po qe se nuk ngrehen kapacitet për një Europë të sigurisë, armatë të fortë, mund të jetë sfiduar nga procese që, mund të ketë rikthim të hartës së Bashkimit Sovjetik. Lavrov ka kërkuar që NATO të kthehet në kufijtë e para vitit 97. Amerikanët kanë në Estoni bazën e tyre. Gjermanët nuk e kanë në dorë primatin e forcës, për shkak të së kaluarës.'
Komente
