Një krisje e madhe ka ndodhur në UEFA që mund të ketë pasoja edhe për presidentin Aleksandër Ceferin. Kjo sepse legjenda e futbollit Zvonimir Boban, i cili mbante rolin e drejtorit Teknik, ka dhënë dorëheqjen duke bërë akuza për kreun slloven të UEFA-s. Konkretisht, në akuzën e publikuar nga gazeta gjermane Bild, Boban thotë:
“Me trishtim dhe zemër të thyer, nuk kam asnjë opsion tjetër përveçse të largohem nga UEFA”, teksa insiston se Çeferin nuk mendon për futbollin por vetëm për ambiciet personale me vendimin që ka marrë për të ndryshuar Statutin në favor të rizgjedhjes përsëri në fund të këtij mandati, që duhej të ishte i fundit për të.
“Edhe pse kam shprehur shqetësimet e mia të thella dhe refuzimin tim të plotë të planit, presidenti i UEFA-s nuk sheh asnjë problem ligjor, aq më pak moral e etik. Ai dëshiron të vazhdojë me planin e tij në mënyrë që të ndjekë ambiciet e tij personale. Rregullat janë vendosur që të mbrojnë UEFA-n dhe futbollin europain nga administrimi i keq, që për fat të keq ka qenë “sjellje normale” për shumë vite. Ndryshimi i drejtimit nga Çeferin ishte absolutisht i pakuptueshëm.
Unë jam i ndërgjegjshëm që asgjë nuk është ideale, përfshirë edhe mua dhe me raste kompromiset janë të nevojshme. Megjithatë, mbështetja e këtij ndryshimi do të shkonte kundër të gjithë parimeve dhe vlerave të mia, tek të cilat besoj me gjithë zemër dhe të cilat i mbroj. Nuk po mundohem të bëj rolin e heroit, pasi nuk jam i vetmi që e mendoj kështu,”-tha Boban duke lënë të kuptohet se edhe figura të tjera brenda UEFA-s janë të gatshme të veprojnë në të njëjtën mënyrë.