Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u largua i irrituar nga një konferencë për mediat pas një debati të tensionuar me gazetarët. Shkak për reagimin e tij u bë një pyetje që nuk i pëlqeu, duke e shtyrë atë të mbante një ton kritik dhe moralizues ndaj përfaqësuesve të mediave.
Vuçiç po komentonte sulmin ndaj Milosh Pavloviç, përfaqësues i lëvizjes “Studentët që duan të mësojnë”, duke e krahasuar me një incident të mëparshëm në Novi Sad, ku një studente u sulmua dhe iu thye nofulla, raportohet në mediat vendase.
“Më shpjegoni pse ata djem në Novi Sad qëndruan katër muaj në paraburgim, ndërsa këta që vepruan në mënyrë të organizuar, me qëllim dhe me vetëdije, përballen vetëm me akuza për pakujdesi...”, u shpreh Vuçiç me tone të ashpra.
Kur gazetarët tentuan të reagojnë, duke theksuar se edhe ata mund të japin shpjegime, presidenti i ndërpreu ashpër dhe u qortoi për sjelljen e tyre.
“Ju ende mendoni se kjo është për të qeshur. Ju, nga N1 dhe Nova S. Unë jo. Mësohu të sillesh më mirë, bir. Sjellje elementare. Nuk do të ishte keq,” tha ai me nervozizëm të dukshëm.
Gazetarja Zhaklina Tataloviç publikoi një video të momentit në llogarinë e saj në platformën X, duke e përshkruar situatën si të tensionuar dhe të pakëndshme.
“Vetëm shkëmbyem një shikim me @novinarupenziji dhe bëmë shenjë që mund të japim një shpjegim, por presidenti na bërtiti, u zemërua dhe u largua,” shkroi ajo.
Komente
