Francë- Një person i armatosur me pistoletë hapi zjarr ndaj një grupi prej 4 vetësh, me kombësi shqiptare. Për pasojë bilanci ishte të paktën një i vrarë dhe 2 të plagosur, mes tyre djali dhe nipi i viktimës.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen Teisseire të Grenoble, të dielën e kaluar, 4 gusht 2024.
Mediat franceze raportuan detajet e para nga vendngjarja dhe hetimet policore, duke nënvizuar se i biri 24-vjeçar i viktimës dhe nipi 21 vjeç, mbetën të plagosur rëndë dhe po trajtohen në spitalin e qytetit. Në mediat franceze nuk bëhet të ditur emri i viktimës dhe të plagosurve, ndërkohë burimet për shqiptarja.com bënë të ditur se viktima është Ylli Bezhani. Sipas mediave të huaja, Bezhani është sipërmarrës individual me qendër në ARTIGUES-PRES-BORDEAUX (33370), i specializuar në sektorin e punimeve të mbulimit të dyshemeve dhe mureve.
Autori me skuter
Ngjarja ndodhi pak para orës 20:00, të 4 gushtit, në një zonë të qetë të qytetit, rreth 100 metra larg nga kryqëzimi me Avenue Paul-Cocat. Autori i sulmit mbetet ende i paidentifikuar, ashtu sikurse edhe motivet e ngjarjes së rëndë por po verifikohen të gjitha pistat e mundshme, përfshi edhe ato që kanë të bëjnë me bizneset ilegale.
“Ishte një burrë i cili ishte duke hipur në një skuter elektrik që hapi zjarr. I pajisur me një pistoletë, ai zbrazi karikatorin e tij mbi një grup prej tre personash. Më pas ai u largua drejtpërdrejt dhe policia ende nuk ka gjetur gjurmët e tij”, shkruan portali “francebleu.fr”, teksa nuk jep detaje për emrat dhe nacionalitetet.
Kurse "Le Monde" shkruan ndër të tjera se "Prokuroria hapi një hetim për “atentat dhe tentativë atentati”, të besuara në sektorin e krimit të organizuar dhe të specializuar (DCOS) të policisë gjyqësore".
Deri tani të paktën 3 persona janë arrestuar, që në fakt ishin shënjestrat e sulmit. Vetëm njëri prej tyre nuk mori dëmtime. Policia franceze sqaroi se ata u ndaluan për të sqaruar rrethanat apo "një pritë e mundshme", sipas prokurorit publik të Grenoble. Prokurori publik i Grenoble, Eric Vaillant, njoftoi se një hetim ishte hapur për "atentat" dhe "tentativë për atentat".
Lajmi është raportuar edhe nga kanali francez "tf1info.fr", por pa specifikuar kombësinë e viktimës dhe identitetet e personave të sulmuar. E para që publikoi lajmin ishte agjencia "ledauphine", të cilës më pas iu referuan edhe mediat e tjera franceze.
Foto: Policia në vendin e vrasjes, Grenoble, France, 4 gusht 2024