Është shtyrë për të hënën takimi i krerëve të koalicionit qeverisës në Kosovë, planifikuar të mbahej pasditen e sotme. Kryeministri Avdullah Hoti, pas shërimit të tij nga Covid-19, do të takohej me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atë të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, për të diskutuar për situatën aktuale në vend. Takim i shtyrë për arsye ende të paditura.
Që nga takimi i kryeministrit Avdullah Hoti me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç në Bruksel gjatë muajit korrik, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj dhe partia e tij kanë kritikuar ashpër shefin e ekzekutivit për qasjen ndaj procesit të dialogut me Beogradin. Haradinaj, thotë se në takimin e 2 shtatorit në Uashington, Kosova duhet të shkojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Po ashtu mësohet se ish-kryeministri Haradinaj gjatë një interviste për Radio Evropa e Lirë, i ka bërë thirrje LDK-së të mbështesë kandidaturën e tij për president, pas kjo është e vetmja mënyrë për të ruajtur balancat në qeveri.
Haradinaj po ashtu ka shfaqur kritika të shumta në lidhje me hyrjen e xhandarmërisë serbe në Karaçevë dhe reagimin e qeverisë Hoti.
Ndërkohë që vendi përballet me një valë të madhe të përhapjes së Covid-19, i cili ka prekur një pjesë të madhe të qeverisë kosovare.