Kontrolli i Lartë i Shtetit ka shprehur një sërë rezervash për Ministrinë e Financave për zbatimin e rekomandimeve për zbatimin dhe monitorimin e buxhetit të shtetit, të dhëna nga KLSH. Kreu i këtij institucioni i pranishëm në Komisionin e Ekonomisë ka dhënë shifra të ndryshme nga financat për borxhin publik dhe të ardhurat totale për vitin 2019.
“Vlera e stokut të borxhit rezulton në 66.7%, me një rritje vjetore neto në vlerën e 19.1 miliardë lekë”, tha kreu i KLSH Arben Shehu.
“Niveli i borxhit publik në raport me PBB ka shënuar një rënie me 2% duke vazhduar të jetë në trajektore rënëse që ka nisur që nga 2016”, u shpreh drejtoresha e buxhetit në ministri Mimoza Dhëmbi.
Referuar tabelave të Ministrisë së Financave vetëm borxhi shtetëror pësoj rritje në vitin e kaluar, ndërsa treguesit e tjerë kanë pësuar rënie. Një tjetër shqetësim i ngritur nga kreu i KLSH Arben Shehu, janë edhe kontratat e lidhura nga institucionet pa pasur buxhetin e mjaftueshëm. Sipas tij janë 98.3 miliardë lekë kontrata të lidhura jashtë afateve ligjore.
“Sistemi i thesarit vijon të luaj një rol akomoduese të shkeljes së disiplinës fiskale ndaj enteve publike duke mundësuar regjistrimin e angazhimeve buxhetore pa fonde në dispozicion me pasojë rritjen e detyrimeve të prapambetura. Fenomeni i regjistrimit me vonesë i kontratave të lidhura nga institucionet qendrore dhe vendore vazhdon të jetë i pranishëm dhe është konstatuar në 18.024 raste, me vlerë 98.3 miliardë lekë ose 63% e të gjithë kontratave të regjistruara në sistem, pra jashtë afateve ligjore”, deklaroi kreu i KLSH, Shehu.
Sa i takon detyrimeve të prapambetura drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave tha se nuk do të lejohen institucionet të bëjnë investime pa paguar borxhet. Në përfundim të diskutimeve Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me 12 vota pro projektligjin për buxhetin faktik të vitit 2019.