Një diskutim për institucionet e drejtësisë ndërkombëtare dhe mekanizmit të gjykatave kundër krimeve të luftës u bë shkak për një debat shqiptaro rus në Këshillin e Sigurimit në OKB.
Ambasadori shqiptar Ferit Hoxha solli shembullin e luftërave në ish-Jugosllavi si shembull i nevojës për institucione që ndëshkojnë kriminelët e luftës. Në një moment pati një përmendje të ish-Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj nga ana e përfaqësuesit rus,Vasily Nebenzya. Ambasadori Hoxha tha se “nuk duhet zinte në gojë ish-kryeministrin e Kosovës sepse ai u gjykua dy herë tashmë dhe të dy herët është shpallur i pafajshëm”.
“Ai nuk u fsheh, nuk u arratis, dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit, dhe iu dorëzua vetë drejtësisë, u përball me faktet, fitoi dhe tani është i lirë. A do ta bëjnë të njëjtën gjë, ushtarët dhe politikanët rusë të akuzuar për krimin e agresionit dhe krime të tjerë serioze?”, tha Ambasadori Ferit Hoxha.
Ai bëri thirrje që puna e drejtësisë të vazhdojë dhe të mos ketë afate skadimi, por nënvizoi edhe një pikë tjetër. Veprimi i drejtësisë ndaj krimeve të luftës nuk do të ketë sukses, nëse vazhdohet me glorifikimin e kriminelëve, kur udhëheqës politikë përpiqen të manipulojnë historinë dhe të pretendojnë se krimet madhore në vende si Vukovar, Srebrenicë, Reçak etj nuk kanë ndodhur