Nënkryetari i Partisë së Lirisë Endrit Braimllari i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Monika Kryemadhit është dorëhequr pas përplasjeve me kryetarin e PL Ilir Meta i cili kritikoi tre ditë më parë performancën e strukturave të partisë në qytetin e Korçës.
Lajmin e dorëheqjes e ka bërë me dije vetë Braimllari përmes një reagimi në rrjete sociale.
"Jap dorëheqjen nga funksioni i NënKryetarit të Partisë së Lirisë. Falenderoj të gjithë anëtarët e partisë për mbështetjen që më kanë dhënë në këto 19 vite. Në këto 19 vite, koha për ne nuk kishte kuptim, orët dhe ditët iknin shpejt, në organizim, në takime dhe në fushatë. Jemi takuar herët në mëngjes, darkave vonë duke ndenjur netë të tëra pa gjumë për të çuar përpara çështjet tona themelore. Këto 19 vite kanë qenë një eksperiencë fantastike, ku u rritëm brenda strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ne u udhëhoqëm nga ndjenja dhe mendimi i të qenit një familje, ku në pjesën më të madhe sakrifikuam dhe qëndruam në ballë të çdo beteje", shkruan Braimllari.
Dorëheqja e tij vjen pikërisht një ditë pasi Meta paralajmëroi spastrime në radhët e Partisë së Lirisë me argumentin se është koha e rithemelimit të partisë dhe dhënies fund të dualizmit të drejtimit. E madje për këto përplasje flet dhe vetë Braimllari i cili në reagimin e tij të dorëheqjes, e pranon se e mori këtë vendim pasi gjendet në kushtet e pamundësisë për të kryer detyrën për shkak të faktorëve të brendshëm.
"Të nderuar anëtar të Komitetit Drejtues Kombëtar i gjendur në kushtet e pamundësisë për të kryer funksionin e nënkryetarit të partisë, për shkak të faktorëve të brendshëm kam vendosur të jap dorëheqjen nga ky funksion. Po bëjë unë i pari disa hapa pasë për të treguar që për mua e rëndësishme është uniteti me njeri tjetrin. Do të vazhdoj me përkushtimin maksimal angazhimin tim si i zgjedhur vendor në këshillin bashkiak të Tiranës për të qenë zëri i qytetarëve dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre, për të krijuar shanse dhe mundësi për çdo qytetar të Tiranës. Ju uroj suksese dhe punë të mbarë në rrugëtimin tonë të përbashkët", shton ai.
Një koment bën edhe për rezultatin që mori në zgjedhjet e përgjithshme si drejtues i qarkut Korçë, që ishte një nga arsyet e zemërimit të Metës me të.
"Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2021, mora përgjegjësinë e drejtuesit politik për Qarkun Korçë. Rrethanat politike dhe jo politike e bën të pamundur marrjen e mandatit në këtë qark. Personalisht bëra maksimumin, dhashë të gjithë kontributin dhe eksperiencën time në një fushatë të papreçendent. Isha i pari në betej dhe në denoncimet e përditshme kundër abuzimi me pushtetin. Për mua ekipi është i pari. Sakrifica sublime e atyre që mbështetën LSI-në në qarkun e Korçës meritonte dhe do ta ketë gjithmonë mbështetjen time. Për mua dhe sot ajo fushatë vazhdon të ketë koston e saj, duke u endur dyerve të gjykatave mbi proçese gjyqi pa fund të nisura politikisht kundër meje nga kundërshtarët politik gjatë fushatës. Por unë ndihem krenar edhe sot që besova tek një ekip i ri, i cili nuk zhgënjeu dhe është premtues për të ardhmen".
Në letër Braimllari kujton dhe momentet e para kur hyri në Partinë e Lirisë asokohe e quajtur LSI ndërsa përmend dhe postet që i janë besuar.
"Teksa shkruaja këtë letër, me erdhi në mendje dita e parë kur nisa angazhimin në Lëvizjen Socialiste për Integrim. Atë kohë isha një gjimnazist 16 vjeçar plot energji, pasion dhe ëndrra për të ardhmen. Sot, pas 19 vitesh jam baba i dy vajzave dhe tani arrij të kuptoj që e gjithë sakrifica jonë ka rënë mbi familjen dhe të gjithë ne i detyrohemi shumë asaj për mbështetjen e jashtëzakonshme".
Mes rreshtash ka dhe një përgjigje për Metën i cili së fundmi duket i bindur se shumë njerëz që deri dje i kishte të besuar e kanë "tradhtuar pas shpine" duke mos e bërë punën siç duhet.
"Gjatë 19 viteve kam ushtruar funksione të larta në parti. Falenderoj kryetarin Ilir Meta për mundësinë e dhënë ndër vite. Në të gjitha funksionet e mia jam udhëhequr nga fryma e bashkëpunimit, solidaritetit dhe meritokracisë. Kam vlerësuar punën në terren dhe komunikimin e përditshëm si një mundësi për të mbajtur kontaktet me gjithësecilin prej jush dhe për të ndarë sëbashku problemet tona të familjes politike por jo vetëm. Në shumë raste kam qenë ekuilibrues i problemeve tona të brendshme, me bindjen maksimale që në parti duhen të gjithë dhe partia është e të gjithëve", shkruan ai.
Gjatë javëve të fundit Ilir Meta ka shtuar mesazhet për tradhtarë brenda radhëve të Partisë së Lirisë. Ndonëse nuk përmendi emra një ditë më parë Meta tha se Partia e Lirisë nuk mund të ketë dy drejtues, duke paralajmëruar spastrimin e të besuarve të ish kryetares, Monika Kryemadhit në postet drejtuese. Ndërsa disa ditë më parë ai tha se ka larguar gardistin duke e quajtur patronazhist të Erion Veliajt ndërsa nuk kanë munguar as akuzat se figura të PL janë shitur te Edi Rama.
Elona Guri, një tjetër njeri i besuar i Monika Kryemadhit ka reaguar pas dorëheqjes së Endrit Braimllari, si nënkryetar i Partisë së Lirisë pas përplasjeve dhe paralajmërimeve të Ilir Metës për spastrim të partisë. Guri që përflitet se do jetë në listën e të "përjashtuarve", duket se me reagimin e saj i përgjigjet dhe Ilir Metës.
“Jam krenare per rrugetimin tend miku im! Qe nga gjimnazist e deri ne prind, ti nuk levize kurre prej boshtit te vlerave te tua. Kemi ndare bashke sakrificat dhe punen e palodhur per te cuar perpara misionin LSI, qe shume e quanin te pamundur. Jemi kritikuar sepse kemi besuar. Por pa tradhtuar kurrë idealet tona dhe duke qene model i asaj levizje pozitive qe perfaqesonte partia jone LSI ne keto 20 vite per te gjithe ata mijera burra, gra e te rinj ne te gjithe Shqiperine”, shkruan Guri, në postimin e Braimllarit, ku deklaron dorëheqjen.
TI ELONA JE NJE VAJZE SHUME E PERGATITUR POR DO HUMBESH GJITHMONE KUNDER PATRONAZHISTEVE
PërgjigjuEndrit ti je zhgënjimi me i madh i partise ne Korce. Ne 2017 ne per pak morem deputetin e dyte ndersa ne 2021 nuk morëm as te parin. Ti beje sikur ndaje lek por me sa duket i mbaje per vete se votat nuk dolën askund. Shume mire qe dhe doreheqje se ishe zhgënjim total.
PërgjigjuBrahimcari ta futi Likja!
Përgjigju