Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut njoftoi të shtunën (8 mars) se më shumë se 740 civilë alavitë janë vrarë që nga e enjtja nga forcat siriane të sigurisë dhe organizatat aleate të tyre, gjatë operacioneve dhe betejave me besnikët e presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad, në Sirinë perëndimore.
Burime nga Siria, si dhe materialet që qarkullojnë në rrjetet sociale, flasin për dhjetëra incidente të ekzekutimeve gjakftohtë të civilëve. Mes të vdekurve ka gra dhe fëmijë. Por duke llogaritur edhe ushtarakët apo grupet e armatosura, numri mund ta kalojë shifrën e 1 mijë të vrarëve.
Këta janë anëtarë të një komuniteti fetar mysliman, nga i cili vjen edhe familja Assad, e cila sundoi vendin për dekada deri në arratisjen e ish-presidentit Bashar al-Assad, dhjetorin e kaluar.
Sfondi fetar - por edhe hija e një lufte të re civile në prag- është e fortë. Alavitët e moderuar përbëjnë rreth 10% të Sirisë dhe janë shiitë, në një vend ku sunitët dominojnë numerikisht. Kujtohet se si ISIS ashtu edhe degët e shumta të tij ishin nga komunitetet sunite. Popullatat e krishtera jetojnë gjithashtu në të njëjtat zona të Sirisë veriperëndimore.
Autoritetet zyrtare flasin thjesht për "incidente të izoluara dhune" dhe se ata kanë në shënjestër "mbetjet e forcave" që mbështetën Assadin, të cilin ata synojnë t'i nxjerrin para drejtësisë.
Observatori raportoi në mënyrë specifike se që nga e enjtja, “745 civilë alavitë janë vrarë në rajonet e bregdetit sirian dhe malet e Latakisë nga forcat e sigurisë dhe organizatat e lidhura me ta".
Numri i mëparshëm ishte 340 të vdekur, por ai mund të shkojë edhe në të paktën 1 mijë të vrarë.
Agjencia shtetërore e lajmeve SANA raportoi herët të shtunën se mbështetësit e Assad kishin nisur një sulm në spitalin kombëtar në qytetin bregdetare të Latakias, duke shtuar se "forcat e përgjithshme të sigurisë po zmbrapsin sulmin".
Në një fjalim të premten, presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa u kërkoi kryengritësve të linin armët dhe të dorëzoheshin para se të ishte vonë.
"Ju sulmuat të gjithë sirianët dhe bëtë një gabim të pafalshëm. Përgjigjja ka ardhur dhe ju nuk keni mundur ta përballoni atë," tha Sharaa në një fjalim.
Fuqitë perëndimore dhe fqinjët e Sirisë kanë theksuar nevojën për unitet në Sirinë e re, e cila po kërkon fonde për rindërtimin e një kombi të shkatërruar nga vitet e luftës civile nën Assad.
Komente
