Është 23 vjeç dhe kushton 20 milionë euro në treg. Bëhet fjalë për mbrojtësin belg të Rennes, Arthur Theate. Vetëm tre vite më parë ai ishte një i panjohur që po tërhiqej nga futbolli, teksa sot ka marrë ofretë nga Liverpooli.
Theate mendoi të punonte në ndërtim pasi u refuzua nga top katër skuadrat belge, por përdori kursimet e fundit për të punuar me një trajner personal. Pas kësaj përvoje ai shkoi në provë një javore në Oostende dhe më pas siguroi një kontratë. Pas vetëm një sezoni në Belgjikë, ai u transferua te Bologna, ku nuk qëndroi shumë pasi Rennes e bleu në vitin 2022 si zëvendësues për Nayef Aguerd, i cili u largua për te Uest Ham.
Me vetëm dy vjet futboll profesionist në këmbët e tij, Theate iu bashkua Rennes dhe i ndihmoi ata të përfundonin në vend të katërt në Ligue 1 dhe siguruan një vend në Ligën e Evropës. Me paraqitjet e tij mbresëlënëse, ai siguroi një vend në kombëtaren e Belgjikës për Botërorin e Katarit në vitin 2022, ku nuk regjistroi asnjë minutë dhe që atëherë ka luajtur për 'Djajtë e Kuq' në 13 ndeshje, tetë prej të cilave i ka startuar si mbrojtës i majtë.
“Unë e dua mentalitetin e Carles Puyol dhe Sergio Ramos. Ata më frymëzojnë shumë me këmbënguljen dhe dëshirën e tyre për të fituar çdo ndeshje. U ndesha rastësisht me Sergio Ramos këtë verë. Ne folëm për një kohë për gjithçka, duke përfshirë ligën franceze dhe karrierën tonë. Ai më tha se bëra një zgjedhje të mirë për të ardhur në Rennes dhe se gjëja më e rëndësishme është të marr sa më shumë kohë për t’u përmirësuar”, tha Theate.
Tashmë gjithçka ka ndryshuar dhe ka shumë interes për këtë mbrojtës të ri, pasi Liverpooli i cili është në kërkim të një lojtari pas dëmtimit të Joel Matipit, iu bashkua sërish garës për nënshkrimin e tij.