Partia Demokratike duhet të ndryshojë qasjen zyrtarisht ndaj opozitës parlamentare, duke kërkuar të ulet në bisedime me ta për të zgjidhur krizën e votave në Parlament. Opozita parlamentare është produkt politik i Partisë Demokratike dhe janë aty si zgjedhje e Lulzim Bashës dhe si pasojë e akteve politike të Lulzim Bashës.
Të mirë apo të këqinj, të aftë apo budallenj, ata janë njerëz që Lulzim Basha dhe Partia Demokratike ua ka ofruar shqiptarëve për t’i votuar në listën e vitit 2017.
Pas një fushate poshtërimi ndaj tyre, tashmë Partia Demokratike, dhe personalisht Lulzim Basha, nuk mund të sillen sikur ata kanë zbritur nga qielli në Parlament dhe ata nuk dinë gjë pse janë aty.
Nëse u duhet vota e tyre në Parlament, ka vetëm një rrugë. Lulzim Basha t’i thërrasë ata në selinë e Partisë Demokratike dhe të nisë procesin e bisedimeve me ta.
Marrëveshja e arritur mes PD, LSI e PS për reformën zgjedhore, është një marrëveshje që i përjashton partitë e reja që mund të formohen nga opozita parlamentare. Madje duket se është bërë kujdes që ata të persekutohen në çdo rresht të marrëveshjes.
Pas kësaj, është e tepërt që ata t’i urdhrosh të votojnë. Ata ndjehen jo vetëm të humbur, por të përjashtuar nga ajo marrëveshje.
Tani përgjegjësia për t’i bërë ata votues të marrëveshjes është e Partisë Demokratike.
Lulzim Basha duhet t’u kërkojë ndjesë shqiptarëve dhe demokratëve, nëse mendon se ata janë një listë e pavlerë, por ai duhet t’i trajtojë ata si standarde të veta dhe duhet të ulet të bisedojë me ta.
Ata duhet doemos të marrin një fitore që të votojnë marrëveshjen.
Mund dhe t’i përçajë apo t’i blejë, mund dhe t’i detyrojë me metoda të nëntokës politike për të votuar, por kjo do të thotë të nisesh drejt zgjedhjeve të lira duke vjedhur dhe blerë vota në Parlament, çka është një shëmti e madhe.
Rruga e vetme është që ata të ulen aty ku e kanë vendin, në selinë e PD, dhe të bisedojnë se si mund ta zgjidhin krizën e tyre me PD.
Kjo vlen dhe për ambasadorët e Perëndimit në Shqipëri, që duartrokitën hyrjen e tyre në Kuvend dhe tani i trajtojnë si ushtarë që duhet t’i binden vullnetit të Lulzim Bashës.
E di që është pak e sikletshme të lëpish atë që ke pështyrë, por kjo nuk është hera e parë për Lulzim Bashën.
Për më tepër nuk është një rast dosido. Është një rast nga i cili varet fati i marrëveshjes së tij.
Ai ose do blejë vota, ose do shantazhojë vota, ose do pranojë të ulet me ta. Për demokracinë, kosto më e ulët është të ulet me ta.
Blerja e votave të tyre apo shantazhimi i tyre janë vazhdimi i banditërisë politike që sundon në Shqipëri.
Ndërsa ndjesa e Bashës për ta nuk është ndonjë kosto e madhe për Bashën, se ai dhe nuk para skuqet në raste të tilla.