Lulzim Basha, kryetar i PD

Përse Basha mblodhi pasanikët e PD në Elbasan?

6 Shtator 2018, 19:18| Përditesimi: 6 Shtator 2018, 19:21

  • Share

Pas Shkodrës, do të ishte Elbasani qyteti ku zoti Basha do të mblidhte “parlamentin paralel” apo më saktë pasanikët e PD, duke provuar edhe atje, ftohtësinë e kësaj vjeshte, mungesën e vëmëndjes dhe interesimit të demokratëve, dhe dështimin e synimit për të prezantuar “platformën e opozitës së bashkuar”. Edhe në Elbasan, zoti Basha nuk kishte munguar të merrte si pararojë të takimit Fatmirin e PR, Dashin, e LZHK, apo dhe Petritin e LSI.

Mbi 2 orë para takimit, deputetët pasanikë të kësaj opozite bënë paradën e modës në hollin dhe kafenenë e turizmit “Skampa” në Elbasan, ç’ka reflektonte “seriozitetin” e takimit , i cili kishte si objektiv të tij “rivalizimin me Parlamentin e mazhorancës dhe dërgimin e mesazhit të saj mbi platformën opozitariste”. Por përse zoti Basha zgjodhi Elbasanin pikërisht pas Shkodrës, për të thirrur “parlamentin paralel” dhe pasanikët e PD, kur ai e njeh mirë situatën në të cilën gjendet atje dega e partisë tij?

Elbasani ka qenë dhe mbetet, emri pas liste në të gjitha qeverisjes e PD, si ato qëndrore dhe ato lokale. Asgjë nuk ka bërë PD sa ishte në qeverisje për Elbasanin, asnjë investim, asnjë projekt të zbatuar, asnjë vëmëndje dhe asnjë emër dhe figurë të përzgjedhur nga ai qytet për ish-kabinetet qeveritare. Elbasani ka qenë dhe mbetet akt-akuza e gjallë e një qyteti ndaj pasanikëve të një partie e cila kurrë nuk ka menduar e investuar atje për punësimin, arsimin, shëndetsinë, infrastrukturën, mjedisin problematik, rritjen ekonomike, etj. Elbasani nga ku zoti Basha mblodhi “parlamentin paralel”, e priti ftohtë njeriun që nuk arriti të ribashkojë partinë, që nuk arriti të ringrejë strukturat e shkërrmoqura lokale, duke i dhënë atij leksionin se “ironia dhe tallja me bazën e partisë do të jenë sërish kosto elektorale për PD edhe në të ardhmen”.

Duke folur para pasanikëve të PD në Elbasan mbi “platformën e opozitës së bashkuar e mbështetur në 4 pika kryesore”, zoti Basha në fakt ka prezantuar para tyre mungesën e stradegjisë dhe ideve, shterpësinë e aftësive politike, dhe ripërsëritjen e kërkesave për ato çështje madhore të cilat ai shpesh i ka penguar. Duke përmendur “dekriminalizimin, vettingun, drejtësinë e çliruar nga kapja politike, apo ekonominë e çliruar nga oligarkët, dhe zbatimin e Vettingu-t në politikë”, në fakt zoti Basha nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka vetëakuzuar dhe rrezikuar vehten dhe PD.

Në rast se ka forcë politike, e cila deri tani veçse e ka penguar Vettingu-n, në rast se ka forcë politike parlamentare që deri sot e ka refuzuar reformën në drejtësi me të gjitha mënyrat, në rast se ka forcë politike që ka sot akoma lidhje të forta me monopolet në ekonomi, dhe në rast se ka forcë politike ku Vettingu në politikë do ti kushtonte shumë, padyshim ajo është PD.

Duket se “parlamenti paralel” i cili nuk dihet se ku mund të mblidhet të enjten e ardhshme, ka vendosur të merret me hartime amendamentesh apo me hartime projektligjesh, duke u dhënë mesazhin e gabuar atyre demokratëve që besojnë akoma se “Lulzim Basha është një Berishë i dytë”. Jo, doktori nuk do të vepronte kështu, ai nuk do të shkelte mbi parimet dhe statutin e partisë, mbi simbolet e asaj partie kaq hapur, dhe gjithsesi nuk do të ishte kaq përjashtues vlerash sa zoti Basha.

Edhe nga Elbasani zoti Basha i mbështetur vetëm nga pasanikët dhe ervinët e tij, dha mesazhin e qartë se, kjo opozitë nuk ndryshon, se kjo opozitë ka vendosur të mbetet në llogoren e gabuar, se kjo opozitë nuk bashkëpunon institucionalisht me mazhorancën, por do të mbetet peng i veseve të së shkuarës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?