Bledi Çuçi dhe Ardi Veliu

Opinion

Përse, drejt e tek kërkesa për dorëheqje titullarësh?!

30 Qershor 2021, 16:15| Përditesimi: 30 Qershor 2021, 16:17

  • Share

Në botën që na rrethon ndodhin ngjarje të rënda që për median përbëjnë një lajm bombë. Trajtimi i ngjarjes në media bëhet profesionalisht, lajmi sjell ngjarjen në dritaren e medias. Nuk paragjykohen dhe nuk akuzohen policia apo struktura shtetërore për ndonjë bashkëpunim, pa lere më që prej gazetarit të kërkohet dorëheqje e titullarëve të sajë. Shkurt lajmi që jep informacion dhe lejon gjithkënd të mendojë, të analizojë e të veprojë sipas këndvështrimit të vet.

Ndryshe, media jonë priret dukshëm që në promovimin e ngjarjeve të tilla të bëhet protagoniste në formimin e opinionit mbi çështje të caktuara dhe sidomos duke iu fryrë fort borive të klaneve politike. Pothuajse të gjitha lajmet e kronikës së zezë mbyllen me pyetjen retorike: “A do të jap dorëheqjen Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit?!..”. Patjetër se ka raste kur mund të bëhet edhe kjo pyetje retorike por jo në do rast dhe për më tepër pa asnjë etikë profesionale . Por tek ne është bërë e udhës që kronika e zezë të bëjë ekspertizën e ngjarjes dhe shkaqet e ndodhisë/ngjarjes ti lidhë drejt për drejt me strukturat e Policisë së Shtetit. Akoma më keq, synohet që kjo strukturë të shndërrohet në tabelë qitje për opinionin publik. Mbi të qëllohet me germa, me fjalë, me shkopinj, me gurë, me artileri të rëndë dhe me çfarë mjeti iu vjen për dore apo ndër mendje. Dukuri të tilla nuk lidhen me aftësinë e gazetarit.

Ato pasqyrojnë pozicionim të pronarëve të medias në raport me ngjarjen apo strukturat shtetërore. Pronarët, për çështje interesash vetiake apo të orientuar politikisht, përpiqen të nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e gazetarëve dhe duhet pranuar se shpesh herë ia arrijnë kësaj. Gazetari, në vend që të jetë sjellje ngjarjen në ekran, në jo pak raste hap rubrikën e aludimeve për përfshirje dhe përgjegjësi të strukturave të policisë apo drejtuesve të sajë në ngjarje. Për ti bërë interesante aludimet, hidhen mbi tavolinë rrethana apo detaje të pa rëndësishme deri edhe të rreme; e gjithë kjo vetëm e vetëm që të orientohet rrjedha e opinionit për ku iu intereson eprorëve të tyre.

Pa u ftohur lajmi gazetarët sjellin në ekrane politikanë apo analistë të prirur politikisht, që flasin e bëjnë ekspertiza shpesh herë të denja për zhanre të filmave policeskë. Së fundi, të gjithë në unison kërkojnë dorëheqje titullarësh!.. Kështu, përveç se iu shërbehet interesave të dikujt apo të klaneve politike, largohet vëmendja nga një analizë e shkaqeve të ngjarjes sepse çdo gjë e lidhin vetëm e vetëm me policinë. Për të ardhur tek ngjarja, sipas rastit, kanë ‘kontribuar’ faktorë, rrethana, individë si qytetarë të thjeshtë apo publik, institucione publike dhe jo vetëm ku patjetër mes tyre është edhe policia. Sado e rëndë që të jetë ngjarja askujt nuk i lejohet që të paragjykojë, të akuzojë dhe të kërkojë ndëshkim flakë për flakë për individë apo struktura, pa bërë analizën e shkaqeve e rrethanave dhe të lidhjeve të tjera që mund të kenë influencuar mbi ngjarjen. Për më tepër kur kjo kërkesë vjen nga politikanë që, jo vetëm një herë, kanë lejuar apo kanë urdhëruar të vriten qytetarë të pa fajshëm dhe nuk e kanë njohur institucionin e dorëheqjes!.. Krijimi mjegullnajave nuk ndihmon askënd, për asgjë dhe kjo është provuar. Kërkesa për dorëheqje ka masën, peshën dhe vendin e vet. Dorëheqja është institucion i posaçëm. Jo kushdo e kërkon e për më tepër jo kushdo e ushtron atë!.. Akoma më keq kur kërkesa për dorëheqje bëhet nisur nga motive të dobëta apo politike dhe shndrohet në ritual rutinë, vlera e sajë brehet prej inflacionit.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?