Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

Përse i vranë Poetët! Në kujtim të vdekjes së Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës

16 Korrik 2020, 21:02| Përditesimi: 16 Korrik 2020, 21:06

  • Share

Sa herë që vjen korriku, ky muaj i nxehtë i vitit, në shpirtin dhe zemrën time rindizet një zjarr që, prej dyzetë e tre vjetësh me djeg dhe më mallëngjen për çdo vit. Ky zjarr u ndez në zemrën time në ato ditë të nxehta të vitit 1977, kur mora lajmin e ndarjes nga jeta të dy të rinjve nga fshati Bërzeshtë i rrethit të Librazhdit. Këta dy të rinj ishin: Vilson Sami Blloshmi dhe Genc Bardhi Leka. Të dy kushërinj dhe shokë të ngushtë. 

Me të dytin, Genc Leka, nuk isha njohur por, jetën dhe veprimtarin e babait të tij, Bardhi Leka, kisha dëgjuar shumë nga punëtorët tjerë që ishin nga Bërzeshta dhe fshatra përreth, të cilët punonin në të njëjtën ndërmarrje me mua. Me Vilsonin jam njohur në vitin 1970, në sektorin e Holtë, në ndërmarrjen e shfrytëzimit të pyjeve, të sharrës Stravaj, në rrethin e Librazhdit. Pyje këto që, ishin nën juridiksionin e rrethit të Gramshit por që, shfrytëzoheshin nga rrethi Librazhd. Në këtë sektor punonte edhe Vilsoni. Ai punonte me dy xhaxhallarët e tij, Bukuroshi dhe Estrefi dhe me të vëllanë e tij Bedriun. 

Atë vit, dimri ishte shumë i ashpër. Lartësia mbi 2 mijë metra mbi nivelin e detit, favorizojnë një dimër shumë të ashpër, ku trashësia e dëborës i kalon edhe 3.5 metër. Kushtet dhe rrethanat ku ne punonim ishin tmerrësisht të vështira. Në këmbë vishnim çizme, të cilat gjithsesi mbusheshin me dëborë. Nevoja na impononte që të praktikonim forma të tjera më efikase. Prandaj, gjithmonë sipër çizmeve, vishnim edhe një palë pantallona të dytë, të cilët ishin si mburojë për të mos lejuar dëborën të hynte në brendësi të çizmeve. Kur ktheheshin në dhomat e fjetjes, shpesh herë, pantallonat, të ngrirë akull, qëndronin në këmbë. Për ngrohje, kishim përshtatur fuçi nafte që i ngarkonim shpesh më dru dhe që nuk fikeshin asnjëherë, pasi i ftohti depërtonte nga çdo anë të dhomave, të cilat ishin jashtëzakonisht të ftohta. Fuçit e zjarrit, që ishin në vend stufave, rrethoheshin nga krevatet marinare, ku flinim ne punëtorët. 

Nën dritën e zjarrit, shpesh, Vilsoni mësonte edhe gjuhë të huaja si frëngjishtja, anglishtja dhe italishtja, në fshehtësi të plotë, pasi spiunët ishin nga të gjitha anët. Ai i urrente shumë ata, pasi e dinte që e mbanin nën vëzhgim të vazhdueshëm. Çiltërsia dhe formimi i tij në mënyrë të natyrshëm shfaqej kundër spiunëve të ndryshëm, servilëve të regjimit apo edhe hipokritëve të shoqërisë së ngushtë ku jetonin. 

Unë që kisha pasion leximin, u miqësova shpejt me të. Shpesh herë shkoja në dhomën e tij dhe i vazhdonim për disa orë bisedat mbi libra dhe autorë të ndryshëm. Bisedat tona preknin edhe shumë probleme të jetës. Ne flisnim hapur ndaj njëri-tjetrit pasi kishim krijuar një besim reciprok të padiskutueshëm. Këto biseda të sinqerta, më largonin disi atë lodhje të madhe fizike nga puna dhe shqetësimet e shumta të mjedisit rrethues të asaj periudhe e karakterizuar nga skamja dhe varfëria totale. 

Me përpjekje dhe shumë durim, kaloi ai dimër i ashpër, për ti lënë vend stinës së verës. Vilsoni u largua për në fshat por, respekti dhe dashuria për të mbetën thellë në zemrën time. 

Vilsoni kishte mbaruar shkollën Normale të Elbasanit – ose shkolla Pedagogjike (siç quhej) – me rezultate të shkëlqyera. Ai, pas mbarimit të saj, kërkoi të punonte si mësues por, shteti-parti nuk e konsideroi aspak një kërkesë të tillë. Përgjigja absurde ndaj tij ishte, ‘nuk ka vende pune’ edhe ‘ti nuk i plotëson kriteret që kërkon ky sektor’. Kuptohej qartë që, për të formuar brezin e ri, duhej prejardhje komuniste, besnike dhe të devotshme ndaj regjimit. Vilsoni kishte prejardhje nga një familje patriotike, atdhetare dhe anti-komuniste dhe kuptohej që ky ishte kriteri që Vilsoni nuk plotësonte. E lejuan të punonte në minierë dhe më pas në ndërmarrjen e shfrytëzimit të pyjeve por, pasi nuk arrinin ta kishin plotësisht nën survejim e kthyen në kooperativë, në fshat. Aty, shpikën akuza dhe krijuan provokime nga më të çuditshmet si, ndezja e zjarrit për të djegur vatrën e kulturës, dërgimin e letrave anonime për të shembur pushtetin dhe sabotime nga më të ndryshmet në fshat. 

Në muajin prill, të vitit 1967, arrestuan Bedriun, të vëllanë, dhe në gusht të po atij viti, arrestuan edhe Vilsonin. Justifikimi i marrjes së Bedriut, pa i treguar akoma që ishte i arrestuar, ishte se do të dërgohej në zbor nga Dega Ushtarake. Ndërsa Vilsonin, e morën me pretekstin e dërgimit për të punuar në fermë. Vilsoni, kishte marrë me vete një batanije (pasi mendonte vërtet që do ta transferonin në fermë) dhe librin e Viktor Hygo, Viti 93. Në hyrje të qytetit të Librazhdit i vunë prangat, e mbuluan me batanije dhe e dërguan në Tiranë. Fillimisht, i kërkuan të bashkëpunonte me sigurimin e shtetit, gjë të cilën, Vilson Blloshmi nuk e pranoi dhe e rikthyen sërish në Librazhd. 

Një muaj pas arrestimit të tij, i arrestuan edhe kushëririn, Genc Lekën. 

Në Librazhd i torturuan pa mëshirë me muaj të tërë, me qëllim që ti thyenin dhe ti kthenin në bashkëpunëtor por, ata nuk pranuan asnjëherë. Ata e prisnin tashmë vdekjen dhe nuk trembeshin prej saj! Vrasja e tyre ishte çështje kohe, edhe pse hetuesit dhe prokurorët shpresonin akoma që ata të pranonin akuzat e sajuara dhe të bashkëpunimin me regjimin. Pas disa muaj hetuesi, mbi trupat e tyre të rraskapitur dukshëm nga torturat u lëshuan plumbat që do ti merrnin jetën por asnjëherë emrat e tyre. Ata u pushkatuan në një datë të shënuar, më 17.7.1977. Kjo datë nuk ishte e rastësishme, pasi numri 7 në mitologjinë antike është edhe numri i përsosmërisë, ashtu siç ishte dhe do të mbeten Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, dy persona të shkëlqyer të paharruar, emrin e të cilëve nuk do ta shuante asnjëherë vdekja e tyre. 

Lajmi i rëndë që mora, për vdekjen e këtyre dy të rinjve, ishte një goditje e madhe për mua. Me zemër të pikëlluar pyesja: ‘po vallë këta të rinj, ç’të keqe i sollën shoqërisë dhe vendit që të merrnin atë dënim? Ku janë faktet që I ngarkojnë me faj këta të rinj? Asnjë!’ 

E vetmja gjë që donin këta të rinj të shkolluar, për vete dhe për shoqërinë, ishte të rritej mirëqenia e të ngjiteshin në nivele të botës së përparuar. Këto ide, ata i kanë shpalosur edhe në poezitë e tyre, fushë kjo që, pot ë kishin jetuar, mendoj se do të arrinin majat më të larta të saj. Ata donin që kombi ynë të realizonte ëndrrat e Rilindasve Kombëtar, por jo, pasi kjo ishte kundër klikës në pushtet. Diktatura i kishte themelet e saj mbi gjakun e mijëra e mijëra patriotëve dhe atdhetarëve të pafajshëm dhe sa herë që situate qetësohej disi, ata, nuk ngurronin të sajonin viktima të tjera të pafajshme që, do t’i shërbenin kauzës së tyre ogurzeze të mbylljes dhe frikës totale. Ata, sa më shumë viktima të pafajshme dhe persekutime kryenin, krenoheshin se po e forconin themelin e diktaturës. 

Sa herë kujtoj Vilsonin, atë djalë shtatlartë, bukurosh, vetullzi, i sjellshëm e i edukuar, inteligjent e i shkolluar, me ata sy depërtues të sinqertë dhe me atë mëndje të mprehtë, e cila premtonte shumë për veten e tij, për familjen e tij dhe për shoqërinë tonë. Por, pas kësaj, kujtoj dhe përfytyroj qelitë e errëta ku hetuesit kryenin torturat më ç'njerëzore mbi trupin e këtij njeriu të mrekullueshëm, apo kujtoj ata prokurorë, të cilët me kënaqësi dhe qetësi firmosnin akuzat e sajuara, apo, ata gjykatës, të cilët me përçmim dhe ngazëllim dhanë vendimin për ekzekutimin e këtyre dy të rinjve dhe një mori pyetjesh pafund më vijnë e shkojnë. 

Habitem dhe akoma pyes veten se si ka mundësi që këto makabritete i kryenin me paramendim dhe me gjakftohtësi njerëz të shoqërisë tonë! Vallë, si arritën këta të bëheshin të tillë! Si mundën këta të kryenin veprime kaq shtazarake dhe ç'njerëzore! A u bënte këtyre, përshtypje sjellja e tyre në shoqëri, familje dhe në ambientet intime me të dashurit e tyre! A gjendej në shpirtin e tyre ndonjë ndjenjë sadopak njerëzore për njerëzit që i rrethonin! A e donin këta njerëz jetën! Veprimet e tyre, tregojnë që shpirti i tyre ishte helmuar me urrejtje dhe mendja e tyre diabolike mendonte vetëm dhunën, terrorin dhe krimet monstruoze. Rrethi vicioz i veprimeve ç'njerëzore të tyre vetëm zgjerohej dhe i inkurajonin ata për veprime të tjera të kësaj natyre. Ata nuk e shikonin asnjëherë realitetin e jetës në sy dhe shqetësimi i vetëm i tyre ishte si ti shërbenin sa më mirë kryediktatorit, babait të tyre shpirtëror dhe partisë që i drejtonte, duke harruar shoqërinë dhe gjithçka që i rrethonte.

Si mund të marrësh dy jetë njerëzish pa bërë asnjë krim! Akoma pyes veten, si mund të vriteshin dy poetë dhe djem të rinj, krimi i vetëm që ata mund të akuzoheshin ishte, leximi i librave dhe shkrimi i poezive. Sa e sa pyetje të tilla më lindin por, është e vështirë të arrij përgjigje të plota. Mbase, mirësia dhe çiltërsia e tyre ishte tepër e madhe për shoqërinë dhe vendin tonë në atë periudhë! Mbase ata, meritonin një vend më të mirë se shoqëria jonë, e cila i ngjante një ferri të vërtet në atë periudhë!

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?