Foto ilustruese

Përse mbyten kaq shumë njerëz në det?

28 Korrik 2023, 08:41| Përditesimi: 28 Korrik 2023, 08:44

  • Share

Sipas OBSH-së, mbytja ka qenë shkaku i vdekjes për më shumë se 2,5 milionë aksidente fatale në dekadën e fundit. Rreth 90 për qind e mbytjeve kanë ndodhur në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Më së shumti janë prekur grup-moshat e fëmijëve të vegjël deri në 4-vjeçarë dhe nga 5 deri në 9-vjeçare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) kishte bërë thirrje para disa ditësh për mbikëqyrje më të mirë të fëmijëve të vegjël dhe mësime noti që në moshën e shkollës fillore për t'u mbrojtur nga rreziku i mbytjes. Kjo mund të shpëtojë rreth 774 000 fëmijë nga vdekja deri në vitin 2050 dhe të parandalojë 993 000 aksidente të tjera, disa prej të cilave mund të shkaktonin dëme afatgjata shëndetësore, njoftoi organizata e OKB-së të martën, 25 korrik 2023 në Gjenevë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Mbytjeve. Programet përkatëse kushtojnë shumë herë më pak se pasojat ekonomike.

Shpërfillja e rreziqeve është shkak i mbytjes në plazh

“Shkaqet kryesore të mbytjes janë sjellja e pamatur, tepër e rrezikshme dhe shpërfillja e rreziqeve që lidhen me qëndrimin në ujëra”, thotë për DW Martin Holzhause, nga Shoqata Gjermane për Shpëtimin e Jetës, DLRG.  “Problemet shëndetësore luajnë gjithashtu një rol në shumë raste, ashtu si edhe përdorimi i drogës, apo alkoolit. Herë pas here, zbulojmë gjatë misioneve edhe se njerëzit në vështirësi janë jo-notarë ose notarë pa përvojë”, shton Holzhause.

Vetëm në Gjermani sipas Shoqërisë Gjermane të Shpëtimit të Jetës (DLRG), vitin e kaluar u mbytën 355 persona. Rreth 87 për qind e aksidenteve fatale ndodhën në ujërat e brendshme. 147 persona u mbytën vetëm në liqene. Shumë më pak njerëz (18) humbën jetën në det.

DLRG shkruan në faqen e saj se shumë notarë i nënvlerësojnë distancat dhe mbivlerësojnë kondicionin e tyre trupor. Pasi kanë notuar shumë larg, janë aq të rraskapitur saqë mezi arrijnë të kthehen në breg. Edhe notarët me përvojë lodhen dhe në një moment ndiejnë ftohtë. Notimi në ujërat rrjedhëse është veçanërisht i rrezikshëm, sepse rrjedha mund të të çojë shumë larg, në varësi të shpejtësisë.

Rregullat e plazhit të DLRG edhe në shqip

DLRG këshillon që të zbatohen rregullat e plazhit, të cilat shoqata i ka botuar në shumë gjuhë, ndër të tjera edhe në shqip, në një plakatë të ilustruar enkas për fëmijë, .

- Nëse nuk ndiheni mirë, të sëmurë, keni ngrënë shumë, jeni të rraskapitur ose të lodhur, nuk duhet të hyni në ujë.

- Veçanërisht në temperatura të larta, duhet të hyni me kujdes në ujë për ta mësuar trupin me të ftohtin. Së pari ftohni duart dhe këmbët dhe pastaj zhytuni një herë. Nëse temperatura është e durueshme, mund të fillosh të notosh.

- Nuk duhet harruar rregulli i vjetër: mos hyrë në ujë me barkun plot. Duke qenë se trupi është i zënë me tretjen pas ngrënies, një stimul i papritur i ftohtë mund të çojë në nauze dhe të vjella. Ekziston rreziku i mbytjes prej të vjellave.

Pozicioni pluskues me shpinë ndihmon në relaksim

Për të notuar mirë në ujërat e hapura, të gjithë duhet të zotërojnë pozitën e “yllit të detit” ose të “njeriut të vdekur” të shtrirë në shpinë, dhe të marrin frymë qetë. Kjo ndihmon për të qëndruar të sigurt në sipërfaqe edhe në rast rraskapitjeje ose ngërçesh për një kohë të gjatë.

Si të dallohen njerëzit që mbyten?

DLRG shpjegon se shpesh askush nuk e vë re kur dikush është gati të mbytet. Njerëzit në nevojë janë kaq të rraskapitur dhe zakonisht janë kaq të zënë në panik, saqë shqetësohen vetëm për mbajtjen të pastër të rrugëve të frymëmarrjes të pastra.

Përveç kësaj, në gjendje shoku, personi nuk bërtet dhe nuk tund duart, pasi ai është i fiksuar për të mos u fundosur. 

Shenjat e mëposhtme tregojnë se një person që noton është në ankth:

-Koka vazhdon të zhytet nën ujë

-Të prekurit mbeten vertikalisht në një vend

-Shenja paniku

-Të prekurit nuk bërtasin

-Masa për të shpëtuar nga mbytja

Nëse dikush është në ankth në ujë, duhet të thirret menjëherë ndihmë.

Telefononi numrin e urgjencës.

Hidhini një objekt personit të prekur, në mënyrë që ai të kapet, p.sh. një top futbolli, dyshek ajri

Vetëm pas shqyrtimit të kujdesshëm, nëse situata dhe vetë kushtet e lejojnë atë, shkoni vetë në ujë për të sjellë personin që mbytet në breg. Siguria juaj është e para.

Sapo personi të kthehet në tokë,  menjëherë filloni masat e ndihmës së shpejtë të tilla si kompresimet e gjoksit./DW

M.T/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?