Foto ilustruese

Opinion

Përse shqiptari nuk është një turist i mirë?

21 Qershor 2021, 11:55| Përditesimi: 21 Qershor 2021, 11:57

  • Share

Edhe pse kanë kaluar vite, fjalët i Ilirit vazhdojnë të më kumbojnë në veshë. Ai ishte shoqëruesi dhe përkthyesi ynë gjatë pushimeve në Turqi, i caktuar prej kompanisë shqiptare që na i organizoi ato. Ndërsa rrinim të shtrirë, të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit në dyshekët e vendosur në bashin e një anijeje pirate gjatë një “trip boat” në Kemer, mes nesh nisi një bashkëbisedim rreth turistit shqiptar. Gjithçka mori shkas nga një lloj admirimi e zilie që unë shfaqa karshi punës së tij. “Ke një punë të bukur, ajo çfarë për të tjerët është pushim, për ty është punë”- i thashë. Mirëpo si duket kisha gjykuar cekët, ose më saktë, e kisha vlerësuar punën e tjetrit vetëm me ato kritere që më pëlqenin mua.

Sepse fill pas kësaj, Iliri filloi të më rreshtoi një sërë vështirësish që kishte puna e tij. Vështirësitë fillojnë me një ritëm të çmendur që në recepsion, kur i shoqëron të bëjnë chek-in-nisi të më tregonte ai. Pothuaj shumica, pasi ngjiten lart në dhomë, zbresin të alarmuar poshtë e të tmerruar, duke zbrazur lloj lloj pakënaqësish të stisura.

Ti aty kupton një defekt thuajse të pakorigjueshën të shqiptarëve turistë: paaftësinë e tyre të madhe për të filluar të kënaqen që në minutat e para të asaj periudhe që quhet pushim, konform asaj që kanë paguar. Por përkundrazi, fillojnë dhe stresojnë veten nëpërmjet krahasimit të realitetit me imagjinatën e shfrenuar të tyren. Vështirësitë e punës tonë janë akoma më të mëdha kur kujton difektet e mëdha në komunikim. Aty shkëlqejmë me aftësinë tonë për të mos u kuptuar e për më tepër me u  keqkuptu.

Fjalët e Ilirit, shoqëruesit tonë të dikurshën në Antalia, më vijnë ndërmend pothuajse çdo sezon turistik. Atëhere kur fillojnë ankesat, qarjet e sharjet karshi biznesmenëve e punonjësve të strukturave turistike. Kur fillon hedhja nëpër portale e faturave të stisura, diskutimet nëpër tv rreth cilësisë së pushimeve në Shqipëri. Por në këto raste më vjen ndëmend gjithashtu edhe ajo këshilla që Konica i drejtonte një mikut të tij  në 1901.

Veçse unë e përshtas atë nga këshillat drejtuar një miku botues, në këshilla drejtuar një biznesmeni turizëm ndërtues. Punë të vështirë ke marrë o mik përsipër sepse nëse e ndërton hotelin të bardhë, shqiptarët do thonë ose nuk e bëre blu. Po e bëre blu do thonë pse nuk e bëre të bardhë. Po e bëre ndërtesë të madhe do thonë çështë kjo bina, po e bëre të vogël do thonë c’është ky kotec.

Po e bëre me pishinë do thonë çduhet pishina se është deti afër, po nuk bëre pishinë do thonë ku ka kuptim hoteli pa pishinë. Strukturat turistike të Jugut i shqyrtojnë me çmimet e Durrësit, Golemit e Shëngjinit, kurse tek këto plazhe kërkojnë të gjejnë cilësinë e atyre të Jugut. Etj etj.

Turizmi shqiptar po ecën përpara. Sigurisht që ka akoma mangësi, që lidhen me argëtimin dhe kalimin e kohës në mënyrë të organizuar, por pikërisht këto difekte janë edhe një nga arsyet pse çmimet e pushimeve janë të lira. Ndaj, përpiquni e kënaquni me diellin, plazhin, ushqimin e mirë, shërbimin që sa vjen e përmirësohet, duke lënë menjanë atë  vigjilencën e njeriut të mllefosur që është gati për të gjetur yçkla.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?