Për çdo shqiptar, madje edhe për ata të lindur 23 vjet më parë, viti 1997 do të mbetet në kujtesë gjatë, si periudha më kobzezë jo vetëm për fatet e vendit, por edhe për rendin, sigurinë, jetën, pronën, ekonominë, etj.
Ishte viti kur u shkatërrua shteti, vendi, qytetet, fshatrat, ishte viti kur u thërrmuan institucionet, ushtria, policia, burgjet, ndërmarjet, uzinat, fabrikat, ishte viti kur u rrënua ekonomia, u masakruan portet, u vodhën depot dhe magazinat.
Ishte viti kur u vranë vetëm nga periudha e protestave antifajde dhjetor 1996, deri në korrik 1997 mbi 2 mijë burra, gra, fëmijë, etj. Ishte viti më kobzi, kur u armatos shumica e shqiptarëve, pas braktisjes së institucioneve dhe zbatimit të një plani tinzar për të çuar gjithçka në zero.
Kush e bëri, kush dha urdhëra, kush e nisi, kush e drejtoi dhe kush doli “pa lagur” nga gjithë ajo tragjedi kombëtare ? Kush e futi vendin në kaos, kush mban përgjegjësi ligjore dhe penale për djegien e pasurisë kombëtare, të qyteteve dhe fshatrave, kush mban përgjegjësi për vjedhjen, shitjen dhe shkatërrimin e ushtrisë, policisë, kush mbushi thasët me milionat tona nga ai skenar ogurzi, pasojat e të cilit ndjehen edhe sot ?
Askush veç ndonjë “koloneli” apo “gjenerali” fantazmë, nuk mori dhe nuk u ngarkua me përgjegjësi ligjore, askush nga ish-drejtuesit e piramidës më të lartë shtetërore,nuk u arrestua dhe nuk u burgos. Ata sot e kësaj dite, janë nginjur me milionat e vjedhura nga shkatërrimi i shtetit në 1997.
Askush nuk u arrestua dhe nuk u burgos, për djegien e Hipotekave, për djegien e arkivave, për zhvatjen e pronave, për djegien e gjykatave dhe prokurorive, askush nuk doli para gjyqit të popullit, për tu përgjigjur deri në gërmën e fundit, për krimet e bëra. Edhe sot pas 23 vitesh, drama e 1997 lëngon, kërkon fajtorët, kërkon drejtuesit e plani më antishqiptar, që e bëri vendin leckë në sytë e botës.
Askush nuk ka dalë përgjegjës, për vrasjet, grabitjet dhe pengmarrjet e bandave të 1997, të cilat terrorizuan foshnjet, pasojat e të cilave po vuajnë edhe sot e kësaj dite qindra e mijëra familje të futur në gjakmarrje. Padyshim, kur dëgjon se edhe pas 70 vitesh, organet ligjzbatuese në botë nisin hetimet dhe burgosin ish-drejtues të ushtrisë naziste, mëndja të shkon tek viti i zi 1997.
Ishte po aq tmerr, sa dhe lufta e vërtetë. Shqiptarët për pak, do të ishin përplasur me shqiptarët, dhe duhej të kishim përjetuar një luftë të vërtetë civile pa asnjë shkak, në rast se Europa dhe SHBA nuk do të kishin ndërhyrë në kohë. Ata që hartuan dhe zbatuan planin e zi të shkatërrimit të shtetit në 1997, veshën më vonë mantelin e “deles” dhe morën sërish pushtetin.
Kjo ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Drejtësia asokohe ishte e gjitha në dorën dhe hyqmin e mëkatarëve të sotëm, që kanë patur dhe habitshëm kanë edhe sot, kurajon të dalin nga bunkeri të akuzojnë, të paralajmërojnë dhe të lëshojnë kushtrimin për të “përmbysur regjimin”. Kjo ndodh vetëm tek ne.
Ndodh sepse akoma edhe drejtësia e re, nuk po “zgjohet” dhe nuk po e nis punën nga “koka”. SPAK, është struktura më dinjotoze e drejtësisë së re, por ajo natyrisht duhet ta nisë “qilizmin” e saj nga 1997. Pa u bërë drejtësi, për dramën më të tmerrshme të shqiptarve, nuk mund të ketë qetësi.
Pa u dënuar ata që nxitën vëllavrasjet dhe shkaktuan dëme të pallogaritshme njerësore dhe materiale në këtë vend, nuk mund të ketë as besim tek drejtësia e re. Për çdo shqiptar, viti i zi 1997, është “plaga” që kullon dhe pikon akoma dhe sot, ndaj niseni që andej zotërinj të SPAK-ut, për të lehtësuar mijëra zemra nënash dhe shpirtra të lënduar, nga mëndja e sëmurë e një grushti njerësish, të etur për pushtet të përjetshëm.
Drejtesia e re duhet te filloje nga vrasjet ne Shkoder!me 96ten me rrahjet e opozites dhe vjedhjet e votave dhe 97 ten e ne vazhdim qe u permenden me lart te merren te pandehur keto kriminele qe shkaterruan Shqiperine dhe akoma po vuajme pasojat e saje,dhe perseri me paturpesi kerkojne perseri pushtet me gjith ç'fare shpifjesh nga me te ultat dhe banale
Përgjigju