Kina i është kundërpërgjigjur kërcënimeve të Donald Trump me tarifa doganore prej 84% për produktet e importuara amerikane, nga 34% e paralajmëruar më parë, siç njoftoi sot Ministria e Jashtme kineze. Këto kundërmasa specifike do të hyjnë në fuqi nga 10 prilli.
Kina thotë se vendimi i SHBA për të vendosur tarifa prej 104% shkel seriozisht të drejtat dhe interesat legjitime të saj dhe dëmton seriozisht sistemin e tregtisë shumëpalëshe të bazuar në rregulla.
Pekini u kërkoi gjithashtu Shteteve të Bashkuara që të korrigjojnë menjëherë praktikat e tyre të gabuara , të anulojnë të gjitha masat tarifore të njëanshme kundër Kinës dhe të zgjidhin siç duhet mosmarrëveshjet me Kinën përmes dialogut të barabartë bazuar në respektin reciprok.
Tarifa prej 104% u njoftua një ditë më parë nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. Fillimisht, Kina ishte në pritje të një rritjeje tarifore prej 34% ditën e mërkurë si pjesë e paketës së tarifave "reciproke" të Trump, por presidenti amerikan shtoi edhe 50% të tjera pasi Pekini vendosi një tarifë hakmarrëse prej 34% ndaj mallrave amerikane deri në mesditën e së martës - duke e çuar totalin në një rritje prej 84% shtesë në detyrime doganore.
Ndërkohë, një përgjigje ka ardhur edhe BE. Komisioni evropian njoftoi se nga 15 Prilli do të hyjnë në fuqi tarifat doganore si kundërpërgjigje ndaj masave që SHBA ndërmorën për çelikun dhe aluminin në muajin mars me 25%.
Pas futjes në fuqi javën e ardhshme Komisioni Evropian thotë se ato do të mund të pezullohen në çdo moment në rast të arritjes së një marrëveshjeje të drejtë dhe të balancuar për të dyja palët. Propoziimet ndërkohë siç thotë Komisioni në deklaratë janë miratuar nga shtetet anëtare të BE.
Plani evropian parashikon tarifa që hyjnë në fuqi në 3 faza, në 15 prill, 16 maj dhe 1 dhjetor. Kina ndërkohë miratoi tarifa doganore 84% për mallrat amerikane si përgjigje ndaj tarifës esktreme që shtëpia e bardhë njoftoi një ditë më herët për ato kineze në nivelin 104%, duke përshkallëzuar me tej luftën tregtare mes dy vendeve.
SHBA eksporton drejt Kinës kryesisht shërbime, ndërsa Kina në SHBA eksporton kryesisht mallra
Ndërsa lufta tregtare është përshkallëzuar, Donald Trump iu ka bërë thirrje kompanive që të zhvendosin aktivitetin e tyre në SHBA. Në një reagim në Truth Social, presidenti amerikan shkruan se është koha për ta bërë këtë gjë është e shkëlqyer ndërsa shton se s’do të ketë tarifa.
“Kjo është një kohë e shkëlqyer për të zhvendosur KOMPANINË tuaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si Apple, dhe kaq shumë të tjerë, në numër rekord, po bëjnë. ZERO TARIFA, dhe lidhje pothuajse të menjëhershme të Energjisë Elektrike. Pa vonesa mjedisore. MOS PRIT, BËJE TANI!”, shkruan presidenti.
Kujtojmë që më herët, Kina njoftoi tarifa doganore me 84% ndaj mallrave amerikane si kundërpërgjigje ndaj tarifave 104% të njoftuar një ditë më parë nga SHBA. Ndërkohë, sekretari i Thesarit Scott Bessent i bëri thirrje Pekinit që të negociojë me presidentin Trump.
Postimi i Trump
Komente
