Policia e Kukësit ka arrestuar një 34-vjeçar të shpallur në kërkim më herët pasi akuzohet se ka përshtatur lokalin e tij për përdorim droge dhe lojëra fati. Arrestimi i të riut është kryer në vijim të operacionit të koduar ‘Vila’ të zhvilluar më 16.10.2021, në kuadër të të cilit u arrestua një person dhe u proceduan 7 të tjerë.
Njoftimi i Policisë
Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Vila". Në vijim të operacionit policor të koduar "Vila", të zhvilluar më datë 16.10.2021, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, si rezulat i të cilit u arrestua 1 shtetas, u proceduan në gjendje të lirë 7 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 shtetas tjetër, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, në bashkëpunim DVP Tiranë, ka bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit në kërkim: F. E., 34 vjeç, banues në Tiranë.
Gjykata e Shkallës së Parë Kukës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale "Përshtatja e lokalit për përdorim droge", "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Organizimi i lotarive të palejuara" dhe "Vënia në dispozicion e lokalit për lojëra të palejuara". Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.