Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Fier, i akuzuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
I riu është identifikuar si Elton Duroj, ndërsa me një njoftim për mediat, policia bën me dije se ai kishte përshtatur lokalin e tij, në rrugën "29 Nëntori", për përdorimin e lëndëve narkotike,
Ai ra në prangat e policisë pas dy muajsh hetime, pas finalizimit të operacionit policor të koduar "Parandalimi".
Policia sekuestroi 1 kg e 140 gram fara kanabisi të cilat do ti shiste si dhe 650 gram kanabis.
Gjithashtu, gjatë operacionit u sekuestruan edhe 1400 qese farmaceutike që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike, 1 peshore elektronike që shërbente për peshimin e lëndës narkotike dhe një automjet.
Materialet procedurale për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, "Nxitja për përdorimin e drogës", “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.