Protesta e Berishës

Persiatje pas një mitingu butaforik

8 Korrik 2022, 20:24| Përditesimi: 8 Korrik 2022, 20:26

  • Share

Ka ngjallur entuziasëm të çuditshëm pjesëmarrja në mitingun e thirrur nga Sali Berisha në mbrëmjen e 7 korrikut. Aq njerëz sa ishin në bulevard, po aq ishin edhe në dhjetor 2021 në stadiumin “Air Albania” ku Sali Berisha mbajti Kuvendin e Rithemelimit. Merreni pamjen horizontale të stadiumit “Air Albania” kur u zhvillua Kuvendi dhe vendoseni vertikalisht në bulevard dhe pjesëmarrja do t’ju dalë njësoj. Natyrisht, po të nisemi nga pamjet speciale të regjisë televizive pjesëmarrja “arrinte” deri në Paskuqan, por kjo vlen për atë pjesë të publikut që manipulohet lehtë.

Gjithsesi, nuk dua të ndalem tek pjesëmarrja, por e ceka si parantezë meqë disa syresh ishin eksituar duke e quajtur si mitingun më të madh të organizuar nga PD-ja!!!

Ajo që ra në sy në miting, nuk ishte thjesht cilësia mizerabël e diskutimit të folësve, sesa ajo që do paraqiste vetë Sali Berisha. Dhe si gjithnjë, ai nuk zhgënjeu në fjalimin e tij pa bosht, pa përmbajtje, pa ide, i cili mbeti një rrëmujë fjalësh pa lidhje me njëra tjetrën.

E reja ishte se e shpalli publikisht Edi Ramën si armik personal, por gaboi duke thënë se edhe ai vetë është armik për Edi Ramën. Në 32 vite Edi Ramën, herë si artist, herë si publicist e herë si politikan, nuk e kemi dëgjuar kurrë të artikulohet në publik se e ka armik Sali Berishën.

Dëshira e Berishës që edhe Rama ta ketë atë armik, duhet kuptuar si një ftesë për luftë. Dhe këtu dalim nga lufta politike dhe kalojmë në atë fizike.

Natyrisht, synimi i Berishës, është që jo vetëm të ndezë artificialisht situatën politike, por edhe të marrë flamurin e protagonizmit brenda PD-së. Edhe thëniet e tij në podium duke deklaruar se Rama ia mbathi nga frika, ishin për t’u dhënë zemër protestuesve të cilët tjetër gjë prisnin prej Berishës.

Se çfarë do bënte kryeministri në zyrë në orën 19:00, këtë gjë vetëm Sali Berisha mund ta thotë. Dhe, po të hysh në lëkurën e Berishës, ndoshta kryeministri Rama duhet të ishte në zyrë se mbase i ndizej nervi kriminal si i Sali Berishës dhe urdhëronte komandantin e Gardës që të qëllonte me dorën e vetë ndaj protestuesve.

Sepse meqë, sipas Sali Berishës, protestuesit ishin të shumtë, Rama duhet të urdhëronte të vriste disa syresh me qëllim që ata (protestuesit) të mos guxonin më t’i vinin poshtë dritares.

Fuqia e Sali Berishës nuk mund të matet nga një miting në bulevard. Fuqia e tij do matet vetëm në zgjedhje. Ato vendore janë pranë, vetëm 10 muaj larg. Pas dështimit që pësoi 4 muaj më parë, ato do të jetë sprova e parë e vërtetë e Sali Berishës në tentativën e rikthimit të tij të tretë në politikë.

Por për njeriun që në harkun e 6 muajve tentoi me dhunë të pushtojë selinë e partisë që drejtohej nga beniamini i tij besnik; që ka një damkë në ballë nga aleati ynë më i madh; që kërcënon në vetë të parë dhe që çon në salla gjykatash deputetët e tij për të frikësuar trupën gjyqësore përpara vendimit penal ndaj një deputeti qartazi fajtor; që përbetohet që pasi të rikthehet si kryeministër [në vitin 2092] do ndryshojë me 71 vota Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale për t’i dhënë fuqi prapavepruese(!!!), nuk mund të ketë më asnjë mundësi që të rikthehet si triumfues. 

I tillë ai mund të jetë vetëm brenda partisë së tij që e ka përdhunuar sa herë ka dashur, po kurrë më nuk do të pranohet nga Shqipëria, të cilën e sakatoi sa herë iu dha mundësia ta udhëheqë. 

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dysti: 09/07/2022 04:55

    Edhe ky sipas vijes se sjelljes se baba Karlos i ka kapur "eksitimi" me vonese.

    Përgjigju
  • Cubi: 08/07/2022 21:20

    Asgje e re. Gjera te pritshme nga nje derdimen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?