Ferdinand Makri prej më shumë se tre dekadash gdhend me dalte, duke u bërë simbol i mjeshtërisë së gdhendjes së gurit në Gjirokastër. I ulur në një stol në hyrje të kështjellës ai vazhdon një trashëgimi e lenë prej të atit ne kohen kur vlera e punës ishte më e çmueshme se kurrë. Ferdinandi e skalit gurin në moment. Në duart e tij, një gur i thjeshtë shndërrohet në një pamje piktoreske të Gjirokastrës, flamurin shqiptar, një lule delikate, apo çfarëdo që i kërkon klienti.
“Unë e kam pas trashëgimi, nga gjyshi nga babai. E kam mësuar këtë zanat që në moshën 8 vjeç dhe e kam vazhduar pas viteve 90-91. Unë bëj gjithçka. Çka janë të interesuar të huajit, ata marrin gjithçka. Pamje nga Gjirokastra një qen a një lepur, na një lule. Çdo gjë që del nga dora ime e pëlqejnë shumë.”
Por kërkesat më të pazakonta të turistëve vijnë për portrete të figurave të komuniste.
“Gdhendjen e Enver Hoxhës ma kanë kërkuar, ma kanë kërkuar shumë shpesh. Edhe stalinin. Sidomos kohërave të fundit kam pas shumë kërkesa. Edhe për Stalinin po ashtu, por unë nuk i kam bërë sepse kërkon shumë kohë, përkushtim”
Çdo punim është një proces i ndërlikuar, ku emocionet luajnë rol të madh.
“Varet nga gjendja emocionale. Sa më në formë të jesh aq më shpejtë e punon. Pastaj një punim mund të shkojë në kohëzgjatje nga 2 orë deri në 3 ditë. Varet edhe nga puna që kam në dorë.”
Gdhendja e gurit është burim i rëndësishëm jetese për gurgdhendësin gjirokastrit.
“Unë këtë e kam gjet si një mundësi pune, thjesht e shoh sikur jam I punësuar edhe marr një rrogë. Jam I kënaqur me një rrogë 500-700 mijë në muaj dhe arrij të ha. Gjatë dimrit nuk është na një gjë kushedi. Por këto muaj deri në fund të tetorit jam mirë. Këto 4-5 muaj punoj.”
Ferdinand Makri e trashëguar zanatin tek djali e nipi dhe kjo për të është fitorja me e madhe.
Komente
