Bukuria dhe mençuria e frymëzojnë prej 21 vitesh. Rend pas pasionit të saj për të realizuar ëndrrat e të rinjve. Kjo është Myzejen Konduri, zonja që të gjithë e njohin për organizimin e Miss dhe Mister Durrësi e Miss e Mister Shijaku, vendlindja e saj.
Ky rrugëtim i gjatë mes të rinjve e ka përballur edhe me ndryshimin e mentalitetit që kanë pësuar familjet e qytetit bregdetar. Më të vështirën në eksperiencën e saj 21 vjeçare nënvizon vitin e parë pasi siç shprehet vetë ajo mentaliteti në familjet e vajzave ishte një hendek i thellë.
Pse vlerësohet bukuria dhe mençuria në një konkurs bukurie? Sepse përveç një kurore mbi kokë, të rinjve fitues u hapet edhe dera e një universiteti.
Myzejen Konduri e gjen veten edhe në botën e fëmijëve apo në rreshtat e rimuara të një poezie, pasi sot renditen disa vëllime me poezi dhe libra për fëmijë të shkruara prej saj. Myzejeni është gruaja që mendon se si të bëjë bashkë durrsakët e jo vetëm.
Kërkon hapësira për organizimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore me qëllim promovimin dhe vlerësimin e njerëzve të njohur për komunitetin lokal e më gjerë. 48 vajza dhe djem të moshave 15-18 vjeç garuan në konkursin e bukurisë këtë vit në Durrës. E shndërruar në traditë për durrsakët, të gjithë bëhen pjesë e këtij eventi, zyrtarë, mjekë, aktorë e qytetarë.
Në përfundim të spektaklit, dy ishin të rinjtë të cilët u shpallën simbol i bukurisë së qytetit të Durrësit për vitin 2023, Miss Durrësi, 16-vjeçarja Tea Jahja nga shkolla Jan Kukuzeli dhe Mister Durrësi, 16-vjeçari Kleo Kulja nga gjimnazi “Rilindja”. Këto emocione, ky turravrap pas anktheve të një gare dhe kurorëzimi i më të bukurës dhe vlerave janë lajtmotivi i jetës së Myzejenit që edhe pse një grua në moshë, shijon të tashmen dhe rendit planet e saj për të ardhmen.