Prej më shumë se një dekade Ümit Yildirim është bërë pjesë e komunitetit mirditor. 46 vjeçari nga Turqia punon mekanik në një kompani turke që operon në sektorin minerar.
Me një buzëqeshje të ngrohtë që e karakterizon dhe duar të lodhura nga puna, Ümitin e gjejmë mes kolegëve shqiptarë, duke ndarë përvojën dhe profesionalizmin që e ka ndjekur prej vitesh në këtë profesion. Edhe pse fillimisht gjuha shqipe i është dukur shumë e vështirë, sot ai arrin të komunikojë me siguri, falë përpjekjeve të vazhdueshme dhe dëshirës për t’u integruar. Po kështu ka mësuar më së miri zakonet e mirditorëve.
"Në Turqi ka kallaballëk këtu në Shqipëri është shumë qetë. Gjuhën e kam mësuar edhe pse është e vështirë, kam bërë dhe kurs. Unë njoh 80 për qind të banorëve të Mirditës dhe askush s’më ka sjell shqetësim. Unë trokas në çdo portë dhe më ofrojne kafe e çaj”, tha Ümit Yildirim.
Pavarësisht largësisë nga familja në Turqi, Ümiti ka zgjedhur të qëndrojë në Mirditë për arsye ekonomike. Ai shprehet se këtu siguron më shumë të ardhura, pasi kostoja e jetesës është më e ulët krahasuar me vendin e tij. Megjithatë, lidhja me familjen mbetet e fortë dhe ai udhëton drejt Turqisë vetëm dy muaj në vit, për të kaluar kohë me të dashurit e tij.
“Në Turqi janë gjërat më shtrenjtë këtu janë më lirë ndaj unë arrij të kursej. Qendroj 10 muaj këtu dhe 2 muaj pranë familjes”, tha ai.
Në fund të bisedës, Ümit Yildirim rezervon një përshëndetje për bashkëkombasit e tij që jetojnë në vendin tonë.
Komente
