“Fred a më dëgjon? Bëhu gati se kemi një zjarr në mal”. Ky ka qenë rituali thuajse i përditshëm i zjarrfikësit Gëzim Lika gjatë verës në Fushë Arrëz, ku zjarret në pyje shkrumbuan qindra hektarë duke vënë në rrezik jetën e 40-vjeçarit dhe kolegëve të tij.
“E kemi pasur si orar të dalim në 6 të mëngjesit, bashkë me struktura të tjera dhe u ktheheshim në 12 ose në 2 të natës, se ishte erë shumë e fuqishme dhe zjarri vinte në shumë drejtime. Sa herë kemi pasur raste duke ngelur në tym. Në momente rreziku mendojmë, na erdhi vdekja, se nuk i dihet se çfarë ke para”, rrëfen ai për Report Tv.
Ndonëse e ka pasion profesionin e zjarrfikësit, thotë se punon në mungesë kushtesh dhe pagës që nuk mjafton.
“Me mjete jemi mirë, por me pajisjen e gjërave për aksidente, nuk jemi mirë. Kemi bërë kërkesa shumë herë, që prej 9 vitesh kur jemi krijuar si repart zjarrfikës. Por, shpresojmë që një ditë të kemi pajisje sikur kanë rrethet e tjera të Shqipërisë”, thekson ai.
Rreziku më i madh për ta ishin municionet që shpërthenin në vatrat e zjarreve.
"Ka pasur shumë raste që na kanë shpërthyer granata, por kemi psur edh eraste ku kemi thënë jemi duke e lënë këtë punë, se sa rrezikojmë me këto municione që ka mali", tregon Lika.
Zjarrfikësi ka ndjekur disa trajnime, duke ia shtuar pasionin për këtë profesion, ndonëse vështirësitë janë të shumta.
"Ne mendojmë tek kushtet ku flemë, kushtet e punës, pajisjet që duhen për një zjarrfikë,s tek pagat duhet të ketë ndërhyrje", shprehet ai.
Por, cili ka qenë momenti më i rrezikshëm?
"U ulëm poshtë për të bërë një kanal, për të pritur një vatër zjarri, pati një shpërthim të fuqishëm. Aty kemi thënë do e lëmë punën, se nuk mund të vazhdojmë më", rrëfen zjarrfikësi Lika.
Ai ka zgjedhur të ndërtojë jetën në vendlindje, por thekson se me pagën e zjarrfikësit nuk mbahet familja, ndaj shpreson se një ditë do të vlerësohet dhe ky profesion.
"Me këtë rrogë që kemi, nuk nbahet. Por me sakrifica do mundohemi që të mbajmë edhe familjen, edhe të punojmë", thekson Lika.
Zjarrfikësi Gëzim Lika e ka pritur me kënaqësi vendimin për shpërblime, por ende i duket e pabesueshme.
"S’kemi besë, në atë moment që do të vendoset që të kalojë bonusi, atëherë jemi të kënaqur shumë. Shteti t ëvërë dorë edhe tek ne zjarrfikësit, të paktën tek rrogat dhe tek pajisjet që na duhen", shprehet Lika.
Ai mbart në kujtesë dhjetëra eksperienca nga ky profesion të cilat sigurisht lënë gjurmë në jetën e tij, teksa shpreson që do të vijë dita që në Shqipëri profesioni i zjarrfikësit të vlerësohet siç ndodh në vendet e zhvilluara.
Komente
