34-vjeçari Juxhin Drazhi është personi i fundit që ka takuar Miklovan Dakajn, i cili rezultonte i zhdukur që prej muajit maj dhe u gjet i vdekur një ditë më parë në Marbella të Spanjës. Autoritetet spanjolle nuk kanë ende asnjë provë që e lidh Drazhin me zhdukjen e Dakajt, por gjithsesi ai do të merret në pyetje. Drazhi është arrestuar më datë 8 gusht në Spanjë për llogari të SPAK, pasi akuzohet për trafik droge në kuadër të operacionit ura që çoi në goditjen e grupit të Visit të Pojës.
Edhe Drazhi rezulton një prej anëtarëve të grupit të Elvis Doçit, i njohur si Visi i Pojës, i cili është ende në kërkim. Në prill, GJKKO i caktoi Juxhin Drazhit masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për tre vepra penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Ai u arrestua më 8 gusht në një shtëpi luksoze në Almuñécar (Granada) nga oficerët e Gardës Civile të Malagas. Policia ra në gjurmët e tij pasi konstatoi se në një shtëpi të izoluar në zonën në fjalë po ndërmerreni masa të shumta sigurie, gjë që solli dyshime.
Sipas raportimeve, ai kishte edhe një eskortë. Me të vënë re praninë e policisë, 34-vjeçari ka tentuar që t’ia mbathë përtej shpatit të malit, por u kap nga oficerët që rrethonin shtëpinë.
Më herët SPAK i sekuestroi 34-vjeçarit Juxhin Drazhit edhe firmën 'Majestic Construction' dhe 9 prona në kuadër të këtij operacioni. “Ura” kishte në fokus tre grupe të krimit të organizuar, me aktivitet të gjerë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, kokainë e heroinë, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Hetimet nisën në 2016-ën dhe u intensifikuan në 2020-ën, ku zbuluan se rrjetet kriminale trafikonin drogë në Itali dhe vende të tjera të Evropës. Nga përgjimet dhe monitorimet, përfshirë bisedat e koduara SkyECC, u dokumentuan transaksione CASH deri në 5 milionë.
Juxhin Drazhi dhe momenti i arrestimit më 8 gusht në Spanjë
Lajmi kryesor:
U gjet i vrarë në Spanjë, ‘ushtari’ i Visit të Pojës personi i fundit që takoi Miklovan Dakajn! Policia spanjolle nis verifikimet për ADN-në me familjarët
SI.E./ReportTv.al