Përurohet shkolla ‘Asim Vokshi’, Veliaj: Kur bëhemi bashkë, bëjmë gjëra të bukura, si kjo shkollë moderne për nxënësit

1 Shkurt, 13:45
  • Share

Përurohet shkolla e mesme e Gjuhëve të Huaja “Asim Vokshi” në Tiranë, e cila do të mirëpresë 750 nxënës në mjediset e reja. Gjimnazi ofron kapacitete të zgjeruara dhe hapësira moderne për nxënësit dhe është rindërtuar me mbështetjen e programit EU4Schools, financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm sot në ceremoninë e përurimit, së bashku me Ambasadorin e Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato përfaqësuesin e UNDP, Francisco Roquette dhe ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, u shpreh shumë i kënaqur me xhevahirin e ri që i shtohet buqetës së 40 shkollave të reja në kryeqytet.

“Ndihem i bekuar sot sepse kemi prodhuar një histori suksesi. Kemi ndërtuar dhe rikonstruktuar një sërë shkollash te ‘Don Bosko’ si, ‘Jeronim De Rada’, ‘Hasan Vogli’, ‘Qazim Turdiu’, ‘Vaçe Zela’, ‘Kristo Frashëri’, por ajo që kam kuptuar është se sa herë që mbaron një shkollë e re, aty rifillon edhe një komunitet i ri. Shumë prej këtyre shkollave kanë qenë një rifillim për gjithë jetën komunitare, pasi janë hapësira jo vetëm për nxënësit, por edhe për komunitetin që e përdorin palestrën pas mësimit, për një shoqatë që mëson fëmijët me sportin”, u shpreh Veliaj.

Më tej, ai shtoi se Tirana e sotme është shumë ndryshe nga Tirana e 2015-ës. Sot, nënvizoi Veliaj, ka një transformim të jashtëzakonshëm të realitetit, pasi 25% e Tiranës prodhon turizëm dhe 25%  teknologji informacioni. Kryebashkiaku risolli në vëmendje edhe ndërtimin e kampusit permanent të Kolegjit të Europës.

“Përtej kampusit të përkohshëm duam të kemi edhe një kampus të përhershëm për Kolegjin e Europës. Do të ndërtohet te ish parkingu i autobusëve, që shërbente si terminal provizor, pranë Qytetit Studenti. Shumë shpejt nisim punën aty. Është një kompliment për Tiranën, për Shqipërinë, për të gjithë ambicien tonë europiane, çka tregon se me miq të mirë asnjë vend nuk është i pashpresë. Nëse një vend e ndan mendjen, nëse një vend mobilizohet, nëse një qeveri, një bashki, një skuadër, sistemi jonë arsimor, e ndan mendjen që do të ecim para, ja ku jemi sot. E filluam të fundit procesin e integrimit, sot jemi numër një. Kishim Samitin e B40-ës këtë javë, pritëm të gjithë kryetarët e bashkive të rëndësishme të rajonit. Ne mund ta bëjmë këtë vend të duket si mesjetë, siç ka ndodhur në historitë tona të vështira të 97-98-ës, ose mund ta bëjmë këtë vend të jetë hapsira më europiane e Ballkanit”, tha Veliaj.


Lajmi kryesor:

Inaugurohet gjimnazi ‘Asim Vokshi’, ministrja: Përfundojmë 100 shkolla këtë vit! Ambasadori i BE: Keni mbështetjen tonë


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?