750 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Musine Kokalari” në Kombinat mësojnë në kushte të reja dhe bashkëkohore, pas rindërtimit të godinës që kishte marrë dëmtime serioze nga tërmeti i vitit 2019.
“Ky është një projekt, të cilin e kemi pasur shumë për zemër. Më vjen mirë që Kombinati është transformuar totalisht. Tani do hedhim shortin për banesat e reja tek lagjja e re. Fakti që sot kemi shkolla si “Musine Kokalari”, “Myslym Keta”, që i kemi bërë me BE dhe miqtë e PNUD-it, kemi “Lasgush Poradecin”, “Betim Muçon”, krejt papritur i kanë zili edhe ish Blloku dhe qendra e Tiranës”, tha Veliaj.
Në përurimin e shkollës Veliaj u shoqërua nga Shefi i Bashkëpunimit pranë BE, Hubert Perr, Zv. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nina Guga dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP Albania, Monica Merino.
“Jemi shumë të lumtur që jemi këtu për t’iu dhënë një shtëpi të re, fantastike, 750 fëmijëve që meritojnë të mirëpriten në një ndërtesë kaq të bukur, me standardet e Bashkimit Europian. Kjo është pjesë e programit të BE-së “EU for schools” dhe unë dua të falënderoj partnerin tonë, UNDP-në, për punën fantastike që kanë bërë për të zbatuar këtë program, si edhe partneritetin me qeverinë shqiptare dhe bashkinë, që në këtë rast e bëtë këtë projekt realitet. Kjo është një nga 7 shkollat që kemi rindërtuar në Tiranë”, deklaroi Rupert.
Shkolla 9-vjeçare “Musine Kokalari” është një investim financuar nga BE dhe zbatuar nga UNDP. Me rindërtimin e kësaj shkolle nxënësit, fëmijët dhe mësuesit kanë lënë pas mësimin me dy turne.