Të paktën 82 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë ende të zhdukur pas përmbytjeve shkatërruese që goditën Teksasin qendror me të paktën 11 fëmijë që janë në kërkim. Në Qarkun Kerr, zonën më të goditur nga përmbytjet në shtetin amerikan, të paktën 40 të rritur dhe 28 fëmijë u shpallën të vdekur. Ndërkohë autoritetet kanë mbajtur aktiv alarmin për kujdes, pasi reshje të tjera të dendura pritet të godasin zonën.
Evropa ndërkohë u nda në dysh nga kushtet klimatike të cilat shkaktuan gjatë të dielës shira të rrëmbyer dhe zjarre në të njëjtën kohë.
Në Greqi vijon alarmi për zjarret. Këtë të hënë një vatër e re u sinjalizua në ishullin Mytilene të Greqisë ndërsa zjarre të tjera kanë angazhuar zjarrfikësit në rajon edhe pranë Shqipërisë, më një zjarr afër Finiqit që tejkaloi kufirin.
Në Turqi moti i nxehtë do të shtojë efektin e tij në të gjithë Turqinë me javën e re, dhe temperaturat do të jenë 4 deri në 6 gradë mbi normat sezonale. Autoritetet bënë thirrje që qytetarët të mos dalin jashtë në orët e pikut përveçse në rastet e nevojshme. Zona e Izmirit e cilit është sfilitur javën e kaluar nga flakët pritet të jetë ndër më të nxehtat, me temperaturat të cilat mund të kalojnë 40 gradë celsius. Gjithashtu ekspertët apelojnë që të tregohet kujdes me zjarret.
Italia ndërkohë është ndarë në dysh sa I takon pasojave të motit. Veriu I saj pas një javë të nxehtë u përfshi nga përmbytjet, ndërsa jugu vijon të përjetojë temperatura përvëluese.
Një alarm u dha këtë fundjavë për detet dhe brigjet e Evropës. Në muajin qershor temperatura mesatare sipërfaqësore e Detit Mesdhe ishte 24.3°C, mesatarja më e lartë mujore e regjistruar në dhjetë vitet e fundit vetëm në muajin qershor me një 1° mbi mesataren në periudhën e konsideruar (qershor 2015 - qershor 2024). Sipas Goletta Verde agjencisë italiane që mbikëqyr jetën ujore, shqetësuese është gjendja shëndetësore e Detit Tirren, i cili regjistroi një temperaturë mesatare sipërfaqësore prej 25.1°C në qershor 2025, ndërsa Deti Adriatik prej rreth 24.1°C në një mënyrë pothuajse uniforme me përjashtim të pjesës më lindore përgjatë bregdetit që shkon nga Mali i Zi në Shqipëri, ku temperaturat sipërfaqësore të ujit ishin dukshëm më pak të ngrohta.
Komente
