Disa nga materialet e ndaluara nga policia serbe në Merdarë

Sport

Pesë çanta me flamuj dhe simbole kombëtare, policia serbe arreston në kufi 53-vjeçarin shqiptar! Dyshohet se do i dërgonte në Leskovac për ndeshjen Serbi - Shqipëri

9 Tetor, 14:56| Përditesimi: 9 Tetor, 15:30

  • Share

Në pikën kufitare të Merdarës (Kosovë-Serbi), policia serbe arrestoi një 53-vjeçar shqiptar me iniciale D.P., furgoni i të cilit sipas policisë serbe përmbante 22 bluza, 244 flamuj dhe 86 kapele me mbishkrimin "UÇK" (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), të cilat ai planifikonte t'i përdorte në ndeshjen e ardhshme të futbollit në Leskovac midis Serbisë dhe Shqipërisë më 11 tetor.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, shkruhet se në furgon u gjetën 65 bluza me imazhin e Agim Ramadanit, heroit të UÇK-së, 58 shalle me stemën e Shqipërisë, si dhe 92 qeleshe. të ndara në pesë çanta.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se D.P. dyshohet se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare. Siç dyshohet, sendet dhe pjesët e veshjeve të përmendura ishin planifikuar të përdoreshin dhe të nxirreshin në ndeshjen e ardhshme në Leskovac, midis ekipeve të futbollit të Serbisë dhe Shqipërisë, shtoi Daçiç.

“Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prokuplje, në bashkëpunim me Administratën Doganore, arrestuan D. P. (1972) nga Shqipëria, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit se ai ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”, thuhej në deklaratë.

I dyshuari është urdhëruar të mbahet në paraburgim deri në 48 orë dhe do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuplje me një kallëzim penal.

NDESHJA DHE MASAT

Ngjarja duket e dyshimtë pasi në ndeshjen mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila është planifikuar të luhet më 11 tetor në Leskovac, nuk do ketë tifozë shqiptarë. Gjithë 'artileria' e simboleve kombëtare duket se do shkonte dëm për një tifoz që patjetër duhet të ketë dëgjuar për masat e sigurisë në lidhje me këtë takim.

Ndeshja në Serbi është vlerësuar si e një rrezikshmërie të madhe nga FIFA, duke dërguar dy oficerë sigurie. Veç zhvendosjes së sfidës nga Beogradi në Leskovac për shkak të frikës nga huliganët serbë dhe klimës së tensionuar politike në atë vend, Federata Serbe e Futbollit nuk nxorri në shitje asnjë biletë.

6500 tifozët serbë në Leskovac do jenë me ftesa dhe të përzgjedhur, përfshi futbollistë nga akademitë e futbollit. Serbia është e dënuar që këtë duel ta zhvillojë me reduktim të 20 përqind të kapacitetit të stadiumit.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kushtetuesja pezullon dekretin për zgjedhjet në Tiranë, si e vlerësoni?