Dritarja dimërore e transferimeve është e hapur dhe pesë futbollistët e Kombëtares që prej kohësh janë pa një ekip kanë mundësinë për të gjetur një klub të ri. Endri Çekiçi, Etrit Berisha, Florian Kamberi, Kastriot Dermaku dhe Sokol Cikalleshi janë pa ekip dhe në kërkim të minutave në fushë.
Etrit Berisha
Prej 1 korrikut 2024 gardiani kuqezi është pa ekip pas largimit nga Empoli. 35-vjeçari nga Prishtina ka mundësi të zgjedhë mes disa skuadrave në Serie B në Itali apo edhe për një rikthim në Suedi. Disa kohë më parë ai kishte bërë me dije se donte më shumë kohë për familjen, e cila jeton në Suedi. Nuk është çudi që Berisha i cili ka luajtur 80 ndeshje me Kombëtaren të tërhiqet nga futbolli i luajtur.
Endri Çekiçi
Mesfushori me tipare sulmuese prej 6 muajsh është pa ekip. Pas largimit nga Pendikspor në Turqi pogradecari vijon stërvitjet individuale. Me përvojën që ka te Dinamo Zagreb, Olimpija, Ankaragucu apo edhe Konyaspor, 28-vjeçari është "okazion" për klubet e interesuara.
Florian Kamberi
Sulmuesi që u ftua në Kombëtare në kohën e Edy Rejas është pa ekip. 29-vjeçari prej muajsh nuk është në aktivitet, fill pas largimit nga Poli Iasi në Rumani. Zurich, Grasshopers, Hibernian, Rangers, St. Gallen, Aberdeen, Sheffield, Huddersfield apo edhe Slaven Belupo kanë qenë klubet e tij.
Sokol Cikalleshi
Sulmuesi kavajas zhvilloi 59 ndeshje me Kombëtaren dhe shënoi 13 gola, duke mbyllur aventurën me tërheqjen si kuqezi. Pas 4 janarit të këtij viti ai është lojtar i lirë pasi mbylli kontratën me iranianët e Tractor. 34-vjeçari ka përvojë të gjatë në Turqi dhe do ishte një lojtar i rëndësishëm për shumë klube që duan gola.
Kastriot Dermaku
Mbrojtësi 32-vjeçar ka luajtur 13 ndeshje dhe ka shënuar 1 gol me Kombëtaren. Largimi nga Leçe gjashtë muaj më parë e ka nxjerrë atë lojtar të lirë. Empoli, Cosenza, Parma apo Leçe kanë qenë klubet e Dermakut.