Foto nga torta e 100 vjetorit të Pavarësisë

Pesë mite mbi prapambetjen tonë historike!

18 Janar 2022, 20:12| Përditesimi: 18 Janar 2022, 20:25

  • Share

Shqiptarët pa rrëzuar mitet e rreme dhe sistemin e antivlerave që historikisht i kanë ndjekur nga pas, në mjedisin e tyre të errësirës larg dijes, nuk do të kenë kurrë një të ardhme normale zhvillimi si çdo komb i qytetëruar i Europës. Si një komb i lashtë edhe India, prej nga ku besohet se rrjedhin popujt e tjerë indo-europianë, për faktin se nuk ka ngritur kurrë një shtet modern, nuk është një popull interesant dhe i admirueshëm për pjesën tjetër të botës, ndonëse popullohet sot nga afro 1 miliard banorë. SHBA-të që udhëheqin sot botën janë krijuar si komb pas epokës së Skënderbeut, ndërsa Zvicra edhe pse njeh tri gjuhë zyrtare, e sajuar për më tepër si shtet në dy shekujt e fundit, është sot një ndër vendet më të zhvilluara të Europës.

Vetëm investimi për ngritjen e institucioneve arsimore, shkencore dhe kulturore të mirëfillta, përmes një vizioni mbarëkombëtar, do t’i jepte fund miteve të rreme që kanë ngritur dhe vazhdojnë të ngrenë shqiptarët prej antikitetit deri në ditët e sotme, çka shpjegon prapambetjen tonë historike.

E para, miti i rremë i antikitetit

Ne krenohemi që jemi populli më i vjetër në Europë, madje edhe në botë. Ka shumë që bazohen në mitologji dhe besojnë se gjuha jonë është hyjnore, pra, ajo e perëndive. Shkenca moderne dhe e pavarur botërore ka dalë në përfundimin se ne jemi autoktonë me gjuhën dhe kulturën që kemi trashëguar nga të parët tanë, pellazgo-ilirët, në trojet ku jetojmë sot. Nuk ka asnjë provë që të vërtetojë se shqiptarët të kenë ardhur dhe të kenë luftuar me ndonjë popull tjetër për të pushtuar territore, përkundrazi, kanë luftuar historikisht për ekzistencën e tyre nga dyndjet barbare. Nuk ka asnjë hartë që të tregojë shtrirjen gjeografike të paraardhësve tanë, sikurse nuk ka asnjë provë që të tregojë sesa të vjetër jemi krahasuar për shembull me grekët, fqinjin tonë tjetër më të vjetër në Ballkan, aq më tepër që të krahasohemi me popujt e tjerë më të lashtë të kontinentit. Nuk jemi as hyjnorë, as superiorë ndaj popujve të tjerë, por nëse na konsiderojnë inferiorë, përderisa sot jemi populli më i prapambetur i Europës, duhet të nxjerrim përgjegjësitë tona historike.

Sikurse duhet të besojmë se jemi thjesht tokësorë e duhet të zhvillohemi aty ku ekzistojmë jo andej nga ku nuk ekzistojmë. Nuk e shpikëm ne të parët komunikimin mes njerëzve në lashtësi, sepse nëse do të ishte kështu, do të ishim marrë vesh sot më mirë me njëri-tjetrin. Kur e dimë fare mirë se alfabetin e sotëm e formuam një shekull e ca më parë dhe unifikimin e Gjuhës Shqipe e realizuam në vitin 1972. Ndërsa universitetin e parë ne e ngritëm në vitin 1956. Dhe dimë që Shekspiri shkruante kryevepra botërore në kohën e Skënderbeut, ndërsa në po atë kohë, u ngritën universitetet e para në rajone të ndryshme të Italisë sotme.

E dyta, miti i origjinës shqiptare

Dëgjohet shpesh të thuhet se figura historike botërore si Aleksandri i Madh, Napoleon Bonaparti, disa perandorë të Perandorisë Romake dhe shumë udhëheqës e personalitete të shquara në botë të cilët kanë çliruar,  themeluar ose pushtuat qytete dhe shtete të tjera, janë me origjinë shqiptare. Nuk ka asnjë fakt që ky pretendim të jetë i besueshëm, por edhe sikur të ishte, ajo që duhet të pyesnim është: çfarë kanë bërë ata për kombin tonë? Nëse nuk kanë bërë asgjë, përse duhet të krenohemi? Kur ne si komb dimë që kemi qenë historikisht të pushtuar duke humbur troje, ose jemi asimiluar si asnjë popull tjetër në Ballkan.

E treta, miti i heronjve

Përveç Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut, të tjerët ne ose i kemi lënë padrejtësisht në hije, qoftë edhe prej madhështisë së tij, ose kemi kontradikta në vlerësimin e tyre, ose nuk kemi mësuar asgjë prej sakrificës së tyre. I baltosim shpesh heronjtë, ose e harrojmë veprën e tyre sikurse më keq akoma jemi të prirur të ngremë mite për figura pa rëndësi të cilët nuk kanë dhënë asnjë kontribut për kombin tonë. Si shembull, Gjorg Golemi dhe Gjergj Araniti, përkatësisht vjehrri dhe kunati i Skënderbeut, nuk kanë marrë kurrë vendin e merituar në histori. Skënderbeu mori famë ndërkombëtare, sepse me rreth 400 luftëtarë braktisi betejën e turqve për pushtimin e Austro-Hungarisë dhe u rikthye në Atdhe, duke luftuar më tej ndaj tyre, çka mundësoi për çerek shekulli çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Ai ishte i pari strateg që braktisi misionin mercenar për t’i shërbyer vendlindjes së tij dhe i hapi aq shumë telashe perandorisë më të madhe të kohës, saqë osmanët me disfatat që pësuan, e shuan ëndrrën e tyre të madhe për të pushtuar Perëndimin.

Prandaj prej asokohe, Austria ka mbetur historikisht mirënjohëse ndaj Kombit shqiptar. Por ka fakte që historia i kalon përciptazi: Skënderbeu u frymëzua nga betejat heroike të Gjorg Golemit në krahinat e Sopotit, Polisit, Babjes dhe Bërzeshtës, ku për dy dekada para rikthimit të tij, ai i kishte mposhtur dhe thyer disa herë turqit. As vetë porosia e  fundit e Skënderbeut, që vetëm duke punuar dhe luftuar të bashkuar si mundësia e vetme e kombit tonë për të mos u mposhtur nga dashakeqësit e tij nuk është zbatuar për 5 shekuj nga ne pasardhësit e Heroit Kombëtar, të cilëve na mban të përçarë edhe sot e kësaj dite interesi personal, pasuria e pamerituar, ose lakmia e tepruar për pushtet.

E katërta, miti i shtetit modern

Ne në fakt në tërë historinë tonë nuk kemi ngritur kurrë një shtet modern. Në 100 vitet e fundit të shtetit të pavarur që u copëtua padrejtësisht kemi krijuar aq shumë kontradikta rreth shtet-formimit saqë i vuajmë edhe sot e kësaj dite pasojat. Periudha e vetme kur krijuam një shtet funksional dhe sovran ishte ajo e komunizmit, kohë kur mbetëm të ndarë nga shqiptarët e tjerë jashtë Shqipërisë dhe të izoluar nga bota. Nisur nga ky fakt, për më tepër nga kapitullimi i regjimit komunist dhe jo për meritë të ndokujt, është gabim i madh të themi se Zogu krijoi shtetin e parë modern vetëm sepse pati fatin të mbretërojë i pari, duke përfituar nga gjendja mesjetare e shqiptarëve, në një kohë kur Europa kishte dy shekuj që i kishte rrëzuar mbretëritë dhe ishte ndarë nga feudalizmi. Ose gabojmë po aq shumë kur pretendojmë se politikanët e periudhës së fundit të tranzicionit sollën demokracinë. Vetëm kur të mos jemi më ekonomikisht kombi më i prapambetur i Ballkanit, kur të nisë të funksionojë shteti i së drejtës, atëherë duhet të besojmë se ka nisur të ngrihet shteti i parë modern shqiptar. Çfarë e dallon sot Kosovën (90 vjet e qeverisur prej serbëve) nga Shqipëria, dy shtete të një kombi?

E pesta, miti i personazheve të rremë

Po e përjetojmë sot. E vështirë të gjendet një vend tjetër në botë që vajzat dhe djemtë pa profesion t’i quajnë personazhe “vip”. Kurse nga ana tjetër të rinjtë e talentuar, të edukuar, që shkëlqejnë në fusha të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, padrejtësisht janë lënë në hije ose jashtë vëmendjes së shoqërisë. Në shkencë, ekonomi, jurispodencë, mjekësi, inxhinieri, art, kulturë etj, ne si shoqëri për shkak të kulturës së mitit të rremë që kemi ngritur, kemi nxjerrë pak modele suksesi, ose në disa raste aspak. Me siguri kemi edhe ne plot modele frymëzimi, por ndryshe nga të tjerët nuk arrijmë t’i identifikojmë dot. Sepse në vend të sistemit të vlerave, ndoshta me përkrahjen dhe nxitjen e të tjerëve, pse jo edhe me investimet e tyre për të realizuar ëndrrën e kahershme, atë të shpërbërjes së kombit shqiptar, vazhdojmë të mbajmë e për çudi të krenohemi me një sistem të tërë, të rremë, dominuar nga antivlera.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tata: 19/01/2022 08:12

    Komplimente. Nje artikull shume me vlere,real e serioz. Me jep pak shprese ne makthin qe kam kur kerkoj te vertetat e ketij vendi e shoh qe u ngjajne OREVE TE PIKASOS. Faleminderit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?