Dritan Mehmeti, trajneri i Dinamos

Pesë ndeshje pa humbje, Dritan Mehmeti para Vllaznisë: Dinamo të sigurojë Superligën

25 Shkurt, 22:14| Përditesimi: 25 Shkurt, 22:15

  • Share

Dinamo - Vllaznia është ndeshja e radhës për Superligën, e cila zhvillohet të hënën në orën 17:00 në "Niko Dovana". Përballja e javës së 25-të u komentua edhe nga trajneri Dritan Mehmeti. Paçka pesë ndeshjeve pa humbje, mes të cilave katër fitore, Mehmeti i Dinamos dëshiron t'i mbajë të tijtë me këmbë në tokë duke thënë se më parë duhet të sigurojnë pikët për qëndrimin mes më të mirave të futbollit shqiptar dhe pastaj të luftojnë për "Final Four".

"Gjendja e skuadrës është e mirë. Kemi pasur probleme të vogla sa u takon dëmtimeve me Denisonin dhe Andonin. Stërvitja ka shkuar mirë, do të konsultohemi me stafin mjekësor për Denisonin, nëse do të jetë pjesë e ndeshjes së nesërme apo jo.

Rivalët? Vllaznia ka pasur kohët e fundit një performancë shumë të mirë, jo vetëm me rezultate, por edhe me lojëra shumë të mira. Së fundi ka mundur Egnatian. Ka kualitete dhe besoj se do të jetë një ndeshje, që do të tregojë forcën tonë. Duhet ta vlerësojmë ashtu si duhet Vllazninë. E respektojmë dhe do të bëjmë maksimumin për të fituar.

Ndeshja? Përpos sukseseve që kanë pasur dy skuadrat javët e fundit, mendoj që çdo ndeshje ka historinë e vet. Nuk mund ta parashikojmë çfarë do të ndodhë nesër. Besoj se do të kemi një ndeshje që do të ketë edhe bukuri, sepse janë dy skuadra që janë në majat e futbollit shqiptar.

Objektivat? Shpresoj të ketë rivalitet, por edhe lojë të bukur. Skuadra është përgatitur shumë mirë dhe tashmë është bërë automatizimi i veprimeve. Çdo skuadër ka nevojë për kohën e vet. Po kalojmë një moment të mirë, duhet të jemi të vetëdijshëm se çfarë kërkojmë. Duhet të sigurojmë Superioren, ky është objektivi ynë. Pastaj, sa do të tregojmë forcën tonë, duke menduar për më gjatë, do t’ia lëmë fushës", tha Mehmeti.

Vllaznia me 40 pikë mban vendin e tretë, pesë pikë më shumë se Dinamo që renditet e katërta.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?