Bujar Lako

'Pesë vite pa aktorin e madh Bujar Lako'

26 Dhjetor 2021, 20:31| Përditesimi: 26 Dhjetor 2021, 20:37

  • Share

– Në qershor të vitit 2001 isha pjesë e ekipit elektoral të Bujar Lakos. Kandidat për deputet në Tiranë. Në atë mot botova një haber. Po e ribotoj në shenjë respekti për aktorin dhe mikun tim të vjetër.

U ulëm ballë për ballë në lokalin e Arian Verzivollit. Në fillim nxora bllokun. Anash vendosa stilokalemin. ( Pas katër orësh as bllokun e hapa e as penën nuk e “ngjeva”.) Kur kamarieri solli kafen, I hodha një vështrim “vjedhurazi” aktorit.

Nuk di pse mu kujtua Miterani. Pasi la fronë e Presidentit të Francës në vitin 1995, një gazetar e pyeti:

-Mos vallë vetmia është pasioni juaj?

Miterani:- Secili ka drogën e vet. Droga ime është heshtja. Unë e dua heshtien. Por edhe kam frikë nga ajo. Por pa heshtjen, unë do të humbisja atë ndjesi të hollë që të lejon të komunikosh me shpirtrat e gjërave.

Sa herë që kam parë ndonjë film ku ka luajtur Bujari, kam menduar: Një nga sekretet e suksesit të tij në kinematografi, është heshtia, dialogu i brendshëm! Sikur ta nis këtu intervistën?

Unë:- Je rregullur me shtëpi? ( Ndryshe mendova dhe tjetër pyeta!?)

Bujari:- Jam ngushtë! Këto ditë po bëj ca riparime në shtëpi. Më dha “kredi” një miku im, sepse bankat i kanë të mbyllura sportelet për artistët…

Pauz…Ndjeva një sëkëlldi për të vazhduar më tej. Kur unë isha vetëm gazetar, kisha një dhomë e një guzhinë. Kur u bëra deputet, qeveria më dha kredi për të marrë tre dhome e një guzhinë… Instiktivisht hapa fletë-palosjen. Nisa të lexoj:

Artist i Merituar…Medalja “N.Frashëri kl.I-rë. Kupa e Festivali të Filmit. Çmim i veçantë… Por fjalë e mirë e gurë në trastë! Një ndër 3-4 aktorët më të mirë të vendit, por pa shtëpi! Fushatën e bën me makinë që ka për pronar një nga “fansat” e tij…Një mik nga Zvicra i ka falur një celular…Në vitin 1994 ka interpretuar me regjizorë francezë dy filma artistikë…Ka një djalë 26 vjeç, Bojkenin…

Unë:- Kryeministri thotë se rrogat janë ngritur në çdo skaj të Shqipërisë. Aktorët kanë rroga të larta?

Bujari:- Çthua? Me rrogën time mujore nuk mund të blej as një palë këpucë për veten dhe Mirën ( Gruaja). Por është e habitshme: Aktori I “ngopur” me botën e madhe të artit dhe i lënë në varfëri nga politika, i duket “herezi” në qoftë se dikush propozon që rroga mund të pesë fishohet…Po të tregoj një histori…

…Kryeministër ishte Majko. Rama kishte nakatosur një projektligj për teatrin. “ Na duhet ky ligj,- më tha një ditë ish ministri tek kafe Fideli,- sepse ka rrëzik të digjet godina e teatrit dhe do të na marri historia!” E pashë në dritë të syrit. E pikasa: Nuk e kishte hallin tek djegia e teatrit, por tek “flaka” që mund të binte mbi fitimet, duke e dhënë me qira një pjesë të godinës… (Siç e dha)…Dhe është për të vënë kujen! Për të shkuar në Teatrin Popullor duhet të kalosh mes dy rripave të ngushtë, sepse sheshin e ka zënë Ministria e Rendit. (Nuk e zuri as ministria e Enverit!) Për tu futur në sallë, duhet të kalosh në një portë të ngushtë, në “kurriz” të godinës! Hyrjen kryesore e ka zënë një Klub Nate…

…E bëra tërkuzë muhabetin…Projektligji i revoltoi aktorët. Një përfaqësi kërkoi takim me kryeministrin. Më morën edhe mua me vete. Kur më erdhi radha, veç të tjerash, I thashë kryeministrit: Rroga e aktorëve të aftë duhet të jetë të paktën 50 mijë lekë…Kur dolëm jashtë, një miku im më bëri vërejtje: Kërkove rrogë të madhe!?

Pyetje:- Të ka bërë njeri vërejtje: Pse kandidove për PD-në?

Përgjigje:- Nuk të kuptoj ku do të dalësh! Së pari, vendimet i marr si Bujar. E shumta kosultohem me familjen. Nuk është e thënë që të gjithë miqtë të më bëjnë “hosona” për vendimin tim për të kandiduar si deputet. Por askujt nuk do ti lejoja të më bënte vërejtje, sepse edhe unë nuk ja kam lejuar vetes këtë “lluks” për vendimet që kanë marrë miqtë dhe shokët e mi. E dyta, unë nuk shkoj në Parlament për Sali Berishën. Bindjet e mia janë të djathta. “Uni” im më shtyn të konkuroj si deputet, sepse mendoj që mund të ndihmoj në përparimin e artit dhe kulturës. Së treti, salla e Kuvendit Popullor, kurrë nuk mund të më zëvendësojë skenën e teatrit dhe kinematografinë. Unë mund të bëhem e shumta politikan amator, por të siguroj se do të mbetem aktor profesionist. Duke konkuruar këto ditë për deputet, nuk kam lënë jashtë vëmendjes disa oferta që më janë bërë si aktor…

Pyetje:- Pse nuk jep intervista në televizion, siç bëjnë shumica e politikanëve, gjatë fushatës elektorale?

Përgjigje:- Ekranin e kam të shënjtë! E “përdor” vetëm për artin tim…

Pyetje:- Kush të uroi i pari kur shpalle kandidaturën për deputet?

Përgjigje:- Dy miqtë e mi më të ngushtë: Robert Ndrenika dhe Timo Floko. U befasova kur më mori në telefon Timua nga Amerika. I thashë: Nga të erdhi lajmi kaqë shpejt?… Është e vogël bota, – më tha,- për të marrë vesh lajmet e mira!…Nuk di se çfarë mendon, atje në Përmet, miku im më i mirë Laver Bariu, Mjeshtri i Madh që më mësoi të “luaja” në klarinetë, kur xhironim në Berat filmin “Gjeneral gramafoni”…

Pyetje:- Në këto 10 vjet shumë aktorë u bënë baballarë të Kombit. Për fat të keq, asnjeri nuk la gjurmë në Parlament. Ti pse guxon të kandidosh?

Përgjigje:- Nuk mund të paragjykoj miqtë e mi që u bënë deputetë. Unë them se mund të bëj më shumë, sepse i bëj llogaritë duke pasur në krah “ajkën” e intelektualëve: Mimoza Ahmetin, Visar Zhitin, Besnik Mustafain, Bardhyl London etj. Do të mjaftonte vetëm ky “ekip” për të bërë të paktën ligje moderne për teatrin, kinematografik, për kulturën në përgjithësi!

Pyetje:- Qarkullon një thashemnajë: Ka deputetë që shkojnë në Parlement për tu pasuruar! Mos mendon edhe ti të pasurohesh me “xhuben” e deputetit?

Përgjigje:- Në qoftë se në Parlament bëhet korrupsion, unë nuk jam i zoti, sepse për punëra të paudha kam lepurin në bark, si i thonë fjalës. Sa e ka rrogën deputeti?…90 mijë lekë!…Kam një ofertë për të luajtur në një film. Më kanë ofruar gjysëm milionë lekë…E barabartë me rrogën gjashtë mujore të deputetit! Mund të të pyes: Ke ndonjë ide se si mund të dalin artistët nga varfëri dhe mjerimi?

Unë:- Në ekonominë e tregut, po të flasim me gjuhën e matematikës, shancet janë infinit ( Pa fund). Por për fat të keq “shancet” janë në duart e qeveritarëve. Ta nisim nga strehimi i artistëve. Mund të zgjidhet me kredi. Nuk ka para, mund të thotë ndonjë meritokrat. Na pengon FMN-ja mund të shtoi Ministri i Finacave.

Unë pyes: Ku u gjetën paratë për të marrë kredi, në këto 10 vite, rreth 400 deputetë!? Pse nuk “shqetësohet” FMN-ja për ato miliona lekë kredi që kanë marrë qindra pushtetarë si ambasadorë, kryepolicë, bashkiakë a bodigardë?

Shpenzimet e Buxhetit për këtë vit kanë arritur shifra astronomike: 1 miliardë e 250 milionë dollarë. ( Fletoria Zyrtare ku është botuar Buxheti i vitit 2001.) Kryetari Nano tha në Kongres se kursimet e qyteraëve në bankë janë rreth 2 miliardë dollarë. Kur kemi para” të thata” pse nuk mos jepen kredi për artistët?

Si mund të shtohen të ardhurat e artistëve? Skemat janë të thjeshta. Të ndërlikuara i bëjnë pushtetarët. Mjediset e Pallatit të Kulturës, Pallatit të Pionerëve, Piramidës, Teatrit Kombëtar, Konostudios etj., më parë se të jepeshin me qira për klube nate, zyra, salla kinemaje a për për të luajtur bingo, mund të ishin kthyer në shoqëri aksionere, ku artistët të merrnin “pjesën e luanit’.

Ku mund të gjenden paratë për të botuar libra, për të vënë në skenë pjesë teatrale, xhiruar filma etj? Janë miliona dollarë që shpenzojnë për reklama e spocorizime ndërmarje shtetrore si Telekomi, INSIG-u, Banka e Kursimit etj. Paratë bëhen rrush e kumbulla, siç ishte rasti i INSIG-t që sponcorizojë me 50 mijë dollarë Kryeministrin, për të marrë një “Çarter” për të shkuar në Kosovë me një tabor meritokratësh. Pjesa e luanit e këtyre fondeve, duhet të shkojë për lulëzimin e artit dhe kulturës.

Pyetje:- Të tërhoqi filozofia e demokratëve: “Për një fillim të ri…” që vendose të konkurosh si deputet?

Përgjigje:- Edhe po edhe jo. Them jo, sepse unë konkuroj si deputet për herë të dytë. Herën e parë bëra fushatë elektorale në Kolonjë më 31 Mars 1991. Si ngjau kjo bëmë? Ka shumë arsye. Por edhe sot jam i bindur se nuk ishte rastësi. Unë edhe pse kisha lindur me këmishë, siç më kishte thënë mamaja, nuk isha i “përkëdheluri” i regjimit komunist. Pa kapërcyer adolishencën, më dërguan për edukim në uzinën “Partizani”, sepse babanë dhe mamanë e kisha nga “Derë e Madhe”…Për të qarë e për të qeshur kur kujtoj vitet ’70! Vetëm se dashurova Mirën, një nga vajzat më të mira të Tiranës, rinia revolucionare i mbushi muret me fletë rrufe: Gjithësej 22 me një tirazh prej qindra faqesh!..

…Fund dhjetori’90 na gjente çdo ditë, deri natën vonë, në Qyetetin e Studentëve. Shkonim mes demostruesve të tre: Unë, Mira dhe djali…

Morali: E pranova me kënaqësi kërkesën për të vënë kandidaturën për deputet më 31 Mars 1991. Mendova se ishte detyra ime, që në emër të familjes dhe miqve të mi aktorë, të luftoja për shëmbjen e diktaturës…

Ftesa e dytë më erdhi pas 10 vjetësh. Në fillim hezitova: Unë e dua profesionin tim! Unë nuk mund të ndahem nga skena dhe xhirimi i filmave!…Pranova sepse u binda që duke konkuruar për deputet së bashku me elitën e intelektualëve, mund të kontroboj për ta nxjerrë vendin nga udhëkryqi ku e kanë futur qeveritarët socialistë…

Bujari:- Më pëlqen vera?

Unë:- Pa dallim feje e krahine?

Bujari:- Çthua! Unë mamanë e kam nga Frashëri. Babanë nga Kolonja…Nuk janë pak që unë të pëlqej verë të fisme! Bile kam një histori me verë…Po xhironim filmin “ Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Unë i veshur si gjeneral shtyva derën e lokalit në Grykën e Këlcyrës. Në sallë një grup gjermanësh. Njihja shoqëruesin. Më ftuan…Nisi muhabeti! Na “ngjiti”. Po pse? Sepse e lumosura verë e kuqe e shoqëruar me kokë qingjit, që me “ustallëk” mund ta pjeki vetëm një guzhinier përmetar, në vend që të të merrte mëndë, të shtonte humorin…Kur u ngrita lashë mbi tavolinë dy shishe si viktimë…

Duke u tundur nën rrobat e gjeneralit takova regjizorin: Mjaft ke luajtur sot me verën, më tha. Nuk mund të xhirosh sepse të janë skuqur sytë…Kundërshtova. Nuk e binda sepse nuk e njihte efektin e verës që prodhohet nga vreshtat e përmetarëve!

Qershor 2001

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?