Sociale

Pesë vite pa shtëpi, 30 familje protestojnë në Durrës! Thirrje Ramës: Zgjidhje ose e çojmë në SPAK!

24 Shkurt, 16:04| Përditesimi: 24 Shkurt, 16:12

  • Share

Banorët e rrugëve "Azem Hajdari" dhe "Valët e Detit", në zonën e ish-kënetës protestuan para bashkisë së Durrësit paraditen e së hënës, pasi shtëpitë e tyre janë shembur 5 vite më parë dhe ende kane mbetur pa strehë. Siç tregojnë banorët, shtëpitë u shembën për t’i krijuar hapësirë ndërtimit të një rruge të re. Ndërkohë që nisi zbatimi i projektit, banorët kishin aplikuar në Agjencinë Shtetërore te Kadastrës për legalizimin e banesave por ende nuk ishin pajisur me certifikate pronësie.  Ndërsa Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si financues dhe zbatues i projektit u kishte premtuar se do të kompensohen me banesa të reja, me të njëjtën sipërfaqe.

“Ne kemi 5 vite që sorollatemi në çdo institucion. Na kanë dhënë do i merrni apartamentet tek pallatet e reja, por letrat kanë ngel tek ASHK-ja e Durrësit, nuk i kanë çuar për VKM. I bëjmë thirrje Ramës të gjejë zgjidhje se ndryshe do e çojmë çështjen në SPAK”, tha protestuesit.

Tashmë kanë kaluar 5 vite dhe 30 familjet e zonës së ish-Kënetës ende nuk kanë marrë shtëpitë e reja. Tregojnë se janë ankuar në të gjitha institucionet lokale e qendrore dhe u kanë premtuar zgjidhje, por fakti është se ende jetojnë me qira.

“Pallatet e rindërtimit kanë përfunduar por ne s’po na fusin brenda. Jetojmë me qira prej 5 vitesh. Unë jam vet i shtati në familje dhe paguaj qiranë 35 mijë lek në muaj. Duam shtëpitë e reja që na kanë premtuar”, thanë ata.

Ndërkohë një ekip i Avokatit të Popullit ka mbërritur në Durrës dhe do ta ndjekë këtë problem së bashku me disa raste të tjera që kanë lidhje me strehimin e banorëve të dëmtuar nga tërmeti.

“Ne kemi ardhur se ka pasur disa ankesa nga banorët, i kemi përcjell ankesat në bashki dhe kemi ardhur sot të interesohemi se ku kanë ngecur procedurat! Pse këta banorë nuk janë strehuar pas kaq vitesh?!”, tha Enio Haxhimihali, përgjegjës i administratës pranë institucionit të “Avokatit të Popullit”.

Banorët e pastrehë të ish-Kënetës përfunduan tubimin pa mundur të kontaktojnë me zyrtarë të bashkisë së Durrësit. Ata thanë se do përshkallëzojnë protestën nëse problemi i tyre 5-vjeçar nuk merr zgjidhje të shpejtë.

R.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?