Peshëngritësi Ertjan Kofsha ka marrë medalje bronzi në stilin e shkëputjes në Kampionatin Botëror për të rinj që po zhvillohet në Spanjë, duke ngritur 161 kilogramë në provën më të mirë.
Ertjan Kofsha u klasifikua i pesti në stilin e shtytjes dhe po i pesti në dygarësh me 352 kilogramë të ngritur në total. 19-vjeçari, i cili konsiderohet një nga talentet peshëngritjes shqiptare, ka marrë edhe shumë medalje me moshat në Europë dhe botë.
GARIMI - Ertjan Kofsha u ngjit pasditen e djeshme në pedanë në Baterinë A për peshat 96 kg. Peshëngritësi i Shqipërisë e filloi stilin e shkëputjes duke ngritur me sukses 156 në provën e parë. Kofsha i shtoi edhe 5 kg kësaj peshe në tentativën e dytë, duke realizuar sërish me sukses edhe peshën 161 kg. Më pas provoi me 163 kg, pa mundur ta kalojë. Kështu me rezultatin 161 kg, peshëngritësi kuqezi arrin vendin e tretë, duke varur në qafë medaljen e bronzit në shkëputje.