Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar ka vendosur që Peshëngritja shqiptare të mos përfaqësohet në Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Tarragona të Spanjës nga 22 qershori deri më 1 korrik të këtij viti.
Shqipëria do të përfaqësohet në disa disiplina, por jo me sportin që mund të merrte medalje, pikërisht peshëngritjen. Shtangisti Briken Calja, që mori 3 medalje ari në Evropianin e fundit, ndihet i privuar, teksa mendon se nuk është e drejtë. Është sekretari i përgjithshëm i KOKSH, Stavri Bello, që sqaron për Report Tv pse Peshëngritja është lënë jashtë.
“Komiteti Ekzekutiv i KOKSH është mbledhur para disa kohësh dhe ka vendosur kështu për arsyen se lufta kundër dopingut jo vetëm këtu në Shqipëri, por edhe në të gjitha institucionet sportive ndërkombëtare është forcuar mjaft, madje në Kampionatin e fundit Botëror të Peshëngritjes , federata botërore dënoi 9 shtete të mos merrnin pjesë, pikërisht ato vende që ishin përdorues frekuent të dopingut. Në këtë kuadër, edhe te ne, për t’i paraprirë çdo rasti dopingu, u mor ky vendim” – tha Stavri Bello.
Pavarësisht se mungon sporti i Peshëngritjes, zoti Bello thotë se Shqipëria ka shanse në disiplina të tjera të marrë medalje, siç është atletika.
“Shanse për medalje ka atletika, ku kemi kampionin e Evropës, Izmir Smajlaj, kemi Luiza Gegën, kemi rastin e fundit të boksieres femër, e të tjerë” – përfundoi Sekretari i Përgjithshëm, i KOKSH, Stavri Bello.
Sipas sekretarit të përgjithshëm të KOKSH, Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare me një delegacion rreth 80 vetë, ku përfshihen sportistë, trajnerë, mjekë dhe zyrtarë.