Peshëngritësi Briken Calja

Sport

Peshëngritje/ Briken Calja ngre alarmin: Federata të garantojë rregulloren për Kupën e Shqipërisë

11 Gusht, 13:55| Përditesimi: 11 Gusht, 14:01

  • Share

Federata Shqiptare e Peshëngritjes do organizojë më 6 shtator Kupën e Shqipërisë, ndërsa peshëngritësi Briken Calja ka reaguar në kanalet e komunikimit, duke i bërë apel Federatës që të garantojë disa gjëra bazë.

Mes tyre janë matja e peshës trupore, përcaktimi i fituesit mbi bazën reale në pedanë, testet antidoping apo kryerja e garës në Pallat Sporti dhe prania e medias. Calja merr pjesë në kategorinë deri në 79 kilogramë. Reagimi i Caljës është një kambanë alarmi, duke kërkuar rregullat bazë të garës, në një kohë kur ato duhet të ishin të garantuara.

Reagimi i plotë i Briken Caljës:

Deklaratë Publike
Drejtuar Federatës Shqiptare të Peshëngritjes
Si kampion dhe përfaqësues i peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, kërkoj zyrtarisht nga Federata Shqiptare e Peshëngritjes që, në Kupën e Republikës (79 kg), të garantohet:

● Matja e peshës trupore në prani të një komisioni transparent, me përfaqësues nga të tre palët e sportistëve.
● Përcaktimi i fituesit vetëm mbi bazën e rezultatit real në platformë,aty ku flasin forca, teknika dhe sakrifica.
● Kryerja e testit antidoping për të gjithë pjesëmarrësit, sipas standardeve ndërkombëtare.
● Zhvillimi i garës në ambientet e pallatit të sportit, për shkak të rëndësisë së këtij kampionati dhe nevojës për kushte profesionale.
● Ftesë për median dhe publikun që të jenë pjesë e kësaj gare, në datën 6 shtator, një ditë që premton të sjellë emocionin dhe rivalitetin më të bukur që peshëngritja shqiptare ka parë në 20 vitet e fundit.

Kjo nuk është thjesht një kërkesë formale.
Kjo është një ftesë e hapur: Federata të garantojë rregullat, sportistët të japin maksimumin dhe publiku të jetë dëshmitar i një gare të ndershme, ku fiton vetëm më i miri.

Le ta bëjmë këtë kompeticion shembullin e peshëngritjes shqiptare një ditë që do të kujtohet për forcën, pasionin dhe respektin për sportin.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zjarrvënia e qëllimshme njësoj si vrasja, si ju duket propozimi i Ramës?