Kronikë

Petraj për Report Tv: Bandat lindën më 1997 dhe fajtori është Sali Berisha, urrejtësi i Shqipërisë! Softa: Provat tregojnë se Ervis Martinaj është eliminuar

4 Qershor, 18:46| Përditesimi: 4 Qershor, 20:01

  • Share

Shqipëria po vuan prej dekadash problematikën e bandave të rrezikshme kriminale, që kanë ‘mbjellë e korrur’ mijëra viktima në rrethana lufte mes tyre, trafiqesh, hakmarrjeje dhe deri në marrje jetësh të pafajshme.

Por shkaku kryesor i këtyre situatave ka qenë viti 1997 dhe autori i asaj tragjedie kombëtare ka një emër që është ende gjallë ditët e sotme: Sali Berisha!

Kjo ishte analiza e avokatit Edmond Petraj në “Studio Live” ditën e sotme, ku u diskutua për rrëfimin e të penduarit Artan Tafani në GJKKO për bandën e Laert Haxhiut në Lushnjë, luftën hakmarrëse të saj me organizatën e Aldo Bares, por edhe për grupet e tjera kriminale.

Petraj tha se këto banda u krijuan atëherë kur shteti kishte rënë, depot u hapën, armët ranë në duart e njerëzve dhe ende sot e kësaj dite shkaktojnë viktima dhe përdoren për larje hesapesh. Petraj ndau mendimin në Report TV se urdhëruesi për atë tragjedi është Berisha, i cili kërkoi edhe të sulmohej jugu, teksa rrëfeu edhe eksperienca personale të hidhura të asaj kohe.

Kurse eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, shkoi më tej, duke thënë se bandat në Lushnjë, Fier dhe Vlorë kishin edhe lidhje politike. Ai dha edhe detaje nga hetimi për zhdukjen misterioze të ‘mbretit të kumarit’ Ervis Martinaj më 2022, duke treguar për kërkime me palombarë e forca RENEA në Vlorë për pjesë trupi apo në zona të ndryshme, pamje filmike të pretenduara të vrasjes së tij, që tregojnë se ai është eliminuar.

“Situata në Lushnjë vjen edhe për shkak të vitit 1997 dhe problematikave që solli ajo periudhë. Përballja e bandave mes tyre ishte realiteti i këtyre bandave dhe ngjarjeve që ndodhin edhe ditët e sotme. Ai që është shkaktari i asaj situate në 1997 është ende gjallë. E kam për zotin Berisha, që ka dhënë urdhër për t’i shtypur me hekur dhe zjarr, ka dhënë urdhër për bombardimin në dy zona në jug të vendit me avionë reaktivë të ngritur nga Kuçova. Kjo futi ndasinë e madhe veri-jug që në atë kohë. E kam përjetuar vetë atë periudhë, me duart lartë për minuta të tëra, jo keni letra apo s’keni letra, e ku mund të humbje jetën. Ajo periudhë ishte shumë tragjike, që nëse do rihapet dhe hetohet e gjitha, shkon deri te nipër e stërnipër, sepse askush nuk ta fal. Nëse do ishte hapur e hetuar 97-a, nuk do kishim këto pasoja sot. Sot kemi ende armët e atij viti nëpër këmbë e që përdoren për krime nga më të ndryshmet. U vranë 3200 vetë në 1997, armët e atij viti nuk janë mbledhur akoma, përdoren për krime, lajnë hesape dhe kjo situatë do vazhdojë akoma. Ndërkohë që ky del akoma dhe shan Shqipërinë, ky nuk e do Shqipërinë”, u shpreh Petraj.

Softa foli për lidhje të bandave me politikën dhe gabimin që u bë me 1997, amnistia e saj.

“Problemi i bandave në Lushnjë daton që nga viti 1997, ku krijimi i bandave shkoi paralel ehde me lidhjet me politikën. Pati edhe zona ku drejtonin dhe dominonin ata. Lushnja dhe Vlora ishin të dyja të lidhura edhe me politikën. Gabimi më i madh i vitit 1997 ka qenë amnistia. Ajo nuk duhet të ishte bërë. Por edhe mosgoditja e bashkëpunëtorëve në shtet, që nuk zbatonin detyrën. Ato armë krijuan pasoja”, tha eksperti për Report Tv.

Në lidhje me operacionin e SPAK me autoritetet e Finlandës ditën e djeshme, petraj u shpreh se duhet ndryshuar Kodi Penal, pasi është i gabuar. Një person i akuzuar në një vend tjetër, nuk mund të gjykohet dhe dënohet në vendin tonë, pasi parashikimet janë të ndryshme.

“Duhet ndërhyrë urgjent në Kodin Penal, pasi kjo është shkelje, ku një rast i hetuar dhe gjykuar në Finlandë, nis me hetim kryesisht edhe në Shqipëri, kur krimi ka ndodhur atje. Duhet të ndiqet procedura e ekstradimit dhe të gjykohen atje ku kanë bërë krimin. Ligji është, por është i gabuar, duhet ndryshuar. Pasi sjell rastin ku për të njëjtën vepër penale në Finland dënohesh deri në 7 vite, kurse në Shqipëri deri në 25 vite”, tha ai.

Petraj trajtoi edhe rastin për procesin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan prengës më 2020 nga kamza në kompleksin ‘Golden’ në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit, ku këmbënguli tek gjetja e provave. Kurse për zhdukjen e Ervis Martinajt, avokati nënvizoi se afatet ligjore kishin kaluar dhe duhet të ishte shpallur nga autoritetet i humbur përfundimisht apo i vdekur.

“Përsa i përket ngjarjes së rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, për sa kohë nuk ka kufomë, nuk ka edhe krim. Mund ta kenë kryer, por nëse nuk e fakton, nuk ka trup, nuk mund të vazhdosh ta akuzosh këtë person. Pra nuk ka prova, filmime konkrete. Po sikur nesër një person që mendohet i vrarë del i gjallë, çfarë ndodh? Nuk mund të bëhen hetime me defekte kaq të mëdha. Duhen prova reale, si gjurmët e ADN-së psh., apo fakte. E njëjta gjë ndodh edhe me rastin e Ervis Martinajt, aktualisht ai duhet të ishte shpallur i humbur, kanë kaluar më shumë se dy vite, kanë kaluar afatet e zhdukjes, e parashikon ligji. Organet duhet të ishin shprehur”, tha ai.

Eksperti Softa theksoi se:

“Operacioni me Finlandën tregon hartën e shtrirjes së aktivitetit të grupit shqiptar. Shqetësimi kryesor janë drogat sintetike që prodhohen në mënyrë laboratorike dhe artificiale, sepse krijojnë probleme psikologjike apo mendore, ky tregu kryesor janë nxënësit e shkollave apo të rinjtë. Ky është edhe shqetësimi i SPAK-ut pas sasisë së madhe kanë kapur. Organizatat kriminale kanë fuqi dhe pavarësi financiare ë madhe. Durrësi është zonë problematike, duke shkuar deri te porti, ku hyjnë makina të trafikuara dhe drogë. Grupet kriminale kanë pavarësi ekonomike”.

Ndërsa për rastin e Ervis Martinajt, ai dha disa detaje nga kërkimet e kryera deri tani, të panjohura në media.

“Për Martinajn janë bërë kërkime të ndryshme, deri edhe me trupa speciale të RENEA-s me zhytje në një zonë të Vlorës, por edhe kontrolle në banesë dhe zona të tjera për të gjetur trupin apo gjurmët, sepse ka pasur edhe fjalë për filmime ku është ndarë në copë. Ngjarja mbetet ende enigmë, ndaj autoritetet duhet të veprojnë sipas afateve ligjore për këtë rast, dyshimet për eliminimin fizik të tij mbeten dhe ka disa prova që të çojnë në këtë konkluzion”, përfundoi ai.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin për rinumërimin e kutive të Qarkut Tiranë?