Politikë

Petraj për Report Tv: Nëse SPAK e përgjoi Kushtetuesen pa prova, rast i paprecedentë! Gjyqi i Berishës po zvarritet, po u bë deputet Meta lirohet! S’ka më arrestime para zgjedhjeve

4 Mars, 19:11| Përditesimi: 4 Mars, 20:43

  • Share

Nëse SPAK nuk ka pasur një indicio apo provë të fortë dhe s’ka marrë leje të Gjykatës për të survejuar dhe përgjuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, atëherë ky përgjim është i paligjshëm dhe jo vetëm duhet të arkivohet apo asgjësohet, por edhe subjektet në fjalë mund të reagojnë me kallëzime ndaj Prokurorisë për shkelje të ligjit.

Kështu shprehet avokati Edmond Petraj, i ftuar në “Studio Live” të moderatorit Arbër Hitaj mbrëmjen e sotme (4 mars), në lidhje me debatin më të fundit për çështjen e hetimeve apo përgjimeve ndaj institucionit më të lartë të drejtësisë në vend.

“E shikoj të arsyeshme kur ka provë konkrete dhe të fortë, SPAK mund të ndërhyjë. Por përsëri duhet një vendim gjykate nëse ka elemente të forta. Edhe institucionet nuk kanë dhënë ende detaje dhe më shumë është trajtuar nga media. Nëse janë përgjuar pa prova konkrete, atëherë është rast i paprecedentë, për nivele kaq të larta, përgjimi i gjyqtarëve. Subjekti i përgjuar ka të drejtë të kërkojë një hetim apo të bëjë kallëzim penal nëse ndodhet në këto rrethana. Pra nëse ka shkak, dyshim dhe provë të fortë, ka të drejtë SPAK, por nëse nuk e ka quhet i paligjshëm pa leje të Gjykatës. Pra në rastin konkret prova duhet ta mundi atë që ti mendon. Janë dy gjyqtarë, mes tyre kryetarja e Gjykatës Kushtetuese. Pa vendim gjykate materiali është i pavlefshëm dhe asgjësohet, nëse nuk prodhon provë. Ose lihet i klasifikuar, i arkivuar dhe nuk hapet”, shpjegon avokati për Report Tv.

Ai analizoi edhe situatat juridike dhe penale të dosjeve ndaj Ilir Metës, Sali Berishës dhe Fatmir Mediut.

Në lidhje me kryetarin e Partisë së Lirisë, që qëndron i paraburgosur prej 21 Tetorit 2024, Petraj shprehet se nuk pengohet që të kandidojë për deputet dhe në rast se zgjidhet dhe bën betimin në parlament, ai automatikisht lirohet nga qelia.

“Gjykata e Lartë edhe mund ta rrëzonte, por duke pasur parasysh rrethanat e palës mbrojtëse nëse janë kërkuar, nuk kemi çfarë diskutojmë lirimin e tij. Edhe mund të zgjidhet deputet nga burgu, mendoj se do zgjidhet. Por do shkojë në Parlament për të bërë betimin dhe del jashtë. Nëse grupi parlamentar kërkon betimin dhe ai shkon në Parlament, ai lirohet nga burgu. Meta mund të zgjidhet deputet nga burgu dhe nëse betohet në Parlament fiton imunitet dhe lirohet

Dosja e metës po ecën normalisht, hetim pasuror, pjesë e hetimorëve. Meta po hetohet për pastrim parash dhe hetimi pasuror, financimi i paligjshëm dhe CEZ-DIA. Te kjo e fundit është edhe zoti Berisha i hetuar por nuk e di si ka ecur kjo”, tha Petraj.

Kurse për Berishën shpjegoi se është i pandehur dhe madje ka disa dosje të tjera në proces, si 21 Janari apo Gërdeci, për të cilat mund të procedohet nga momenti në moment. Por theksoi edhe zvarritjen e procedurës për seancën paraprake të dosjes së aferës “Partizani”.

“Berisha është sot i pandehur, është në fazën e fundit, nuk është marrë ende vendimi çuditërisht për mungesa të ndryshme personash. Po shtyhet me procedurë. Nëse avokati mungon vazhdimisht, Gjykata cakton avokat kryesisht. Të shohim se si do marrë drejtimin dhe po bëhet alibi e fortë se çfarë do ndodhi me zotin Berisha. Gjyqtari i masës paraprake për kalim në gjykim të zakonshëm është më i rëndësishmi. Tani Berisha është thirrur i pandehur, gjyqtari e ka në dorë vendimin. Berisha është te 21 janari, mund të përfshihet te dosja e gërdecit. Ka disa hetime në proces, disa dosje ku është kallëzuar, por duhet parë”, shpjegoi ai.

Ndërsa për kreun e Republikanëve, Fatmir Mediu, sqaroi se procesi është në gjykim themeli, me rishqyrtim provash e ballafaqime.

“Tek Mediu kemi gjykim themeli, dosja po filtrohet se ku del i implikuar Mediu. Janë thirrur dëshmitarë, ekspertë, janë kërkuar prova dhe ballafaqime. Mediu është deputet, ka dosjen penale, vazhdon aktivitetin politik”, tha avokati.

Kurse në lidhje me dosjet e nxehta në proces të SPAK apo nëse do ketë arrestime të bujshme, Petraj u shpreh se në atmosferën e krijuar aktualisht me ngjarjet e fundit dhe reagimet e politikës, mendonte se asnjë nga forcat nuk do lejonte më arrestime të tjera në fushatë zgjedhore.

“Mendoj se nuk do kemi surpriza deri në zgjedhje, sepse edhe po ta shikoni pjesën e kontestimit që bëhet nga mazhoranca dhe opozita, është situata që edhe nëse flitet për subjekte që janë deputetë, nuk kanë për t’i lëshuar në atë që mendohet”.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?