Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak (majtas), me kryenegociatorët nga Kosova dhe nga Serbia.

Peter Stano:"Dialogu Kosovë-Serbi do të mbahet javën e ardhshme në nivel kryenegociatorësh"

28 Mars 2023, 15:04| Përditesimi: 28 Mars 2023, 15:22

  • Share

Petro Stano, zëdhënësi i shefit të diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel kryenegociatorësh.

Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic.

Fokusi dhe qëllimi i këtyre bisedimeve është stabilizimi i marrëdhënieve për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt – si dhe në aneksin e zbatimit, për të cilin palët janë dakorduar më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Stano është shprehur optimist për bisedimet, madje ai tha se takimet e shpeshta po i japin premisa pozitive finalizimit të marrëdhënieve të mira mes dy vendeve fqinje.Ai ka deklaruar kështu duke iu referuar një propozimi të kryeministrit me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet në shtetin që drejton ai.

"Na vjen mirë që dialogu po bëhet kaq i popullarizuar në rajon dhe gjithnjë e më shumë vende po afrohen që të jenë mikpritës të tij. Por le të shkojmë hap pas hapi. Dialogu është i bazuar në Bruksel dhe kemi arritur një hap shumë të rëndësishëm në Ohër, pas arritjes së pajtueshmërisë mes presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, ku ata u pajtuan edhe për Marrëveshjen, edhe për aneksin e implementimit. Tash fokusi është në implementim", ka thënë ai.

Stano ka folur edhe për hapat që janë bërë pas takimit të Ohrit.

“Kemi pasur takim në Këshillin e Punëve të Jashtme ku Përfaqësuesi i Lartë [Josep Borrell] i njoftoi ministrat. Pastaj, ai ka informuar dhe partnerët tjerë. Kemi pasur edhe Këshillin Evropian, ku liderët miratuan këtë, dhe porositën të dyja palët se duhet të vazhdojnë me implementim të shpejtë, me mirëbesim të obligimeve që kanë marrë mbi vete“.

Stano u shpreh se brenda BE-së po punohet që të rinisë puna në adaptimin e kornizës negoiciuese me Serbinë, më saktësisht Kapitullin 35, dhe në mënyrë përkatëse edhe në rastin e Kosovës.

“Dialogu si i tillë vazhdon. Do të ketë takime tjera në nivel të lartë për të cilat do të njoftojmë kur të jetë e përshtatshme. Ajo që mund të them në këtë moment është se një takim i kryenegociatorëve do të zhvillohet javën që vjen në Bruksel. Kryenegociatorët nga të dyja palët janë ftuar nga lehtësuesi i dialogut që të vijnë në Bruksel dhe të avancojnë përpara me hapat e parë për implementimin e gjithë asaj që kanë rënë dakord”, ka thënë mes tjerash Stano.

Sipas kryediplomatit të BE-së, Borell, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri në Ohër për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, ndonëse nuk e kanë nënshkruar asnjë dokument.Por, në BE kanë përsëritur se edhe pa nënshkrim këto dokumente konsiderohen obliguese për të dyja palët, dhe se të gjitha përpjekjet për t’i vënë në pikëpyetje janë të kota.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?