Teksa muzetë, galeritë edhe sitet arkeologjike janë të parat institucione të kulturës, që do të merren në konsideratë që të hapen nga ministrja Elva Margariti, “ReportTV” sjell në vëmendje pezullimet e aktiviteteve edhe humbjet financiare, që ka pasur Muzeu Historik Kombëtar për shkak të COVID-19.
Cilat janë projektet që kishit planifikuar deri në mbyllje të sezonit janar-qershor 2020?
Muzeu Historik Kombëtar deri në momentin e shfaqjes së epidemisë në vendin tonë dhe marrjen e masave në kuadër të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19, i realizoi të gjitha aktivitetet e planifikuara. Ky vit është 100-vjetori i përkujtimit të Luftës së Vlorës dhe 30-vjetori i rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri. Për të dy këto ngjarje madhore Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i madh i memories kolektive në vend, kishte parashikuar organizimin e ekspozitave dhe konferencave shkencore. Në rastin e parë Muzeu Historik Kombëtar është partner në festimet që do të zhvilloheshin nga Prefekturat e Vlorës dhe Gjirokastrës dhe që do të kishin dhe mbështetje nga qeveria shqiptare. Jemi duke rikonsideruar faktin nëse këto festime mund të shtyhen deri në shtator në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë në këto festime si Akademinë e Studimeve Albanologjike, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Departamentet e Historisë dhe Gjeografisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë të Universitetit të Tiranës, si edhe Universitetin e Vlorës dhe atë Gjirokastrës. Përsa i përket aktiviteteve për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri jemi duke punuar, por në varësi të situatës do të vendoset nëse do ti realizojmë në dhjetor 2020 apo do të shtyhen për vitin 2021.
Çfarë projektesh apo aktivitetesh të programuara nga institucioni janë pezulluar për shkak të COVID-19?
Disa aktivitete të planifikuara nga ana e Muzeut Historik Kombëtar për tu realizuar gjatë kësaj periudhe janë:
-Ekspozitë dhe konferencë shkencore kushtuar arkeologut, historianit dhe albanologut austriak Karl Ludëig Patsch në kuadër të 75-vjetorit të ndarjes nga jeta, aktivitet i planifikuar të zhvillohej në 20 Mars në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik të Vienës, Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Ambasadën Austriake në Shqipëri.
-Konferencë Shkencore kushtuar Fan Nolit, planifikuar për tu zhvilluar në fund të muajit mars 2020.
-Ekspozita “In the east, ëar ëithout end. 1918-1923” – “Në lindje, lufta pa fund. 1918-1923”, e cila do të vinte si një bashkëpunim i Ambasadës së Francës në Shqipëri dhe Muzeut Historik Kombëtar, planifikuar për tu zhvilluar në fillim të muajit prill.
-Ekspozita e “Raffaello: alle origine del mito” me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së tij me 92 punë në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë dhe me Muzeun e Brescia-s, Itali. Ekspozita është planifikuar të hapet në muajin Gusht, por do të shihet sesi kjo situatë pandemie do të vazhdojë duke qëndruar në komunikim të vazhdueshëm me partnerët tanë.
-Veprimtaritë “Një pasdite në muze” dhe “Një ditë me kuratorin”.
-Aktivitetet në kuadër të programit kombëtar “Edukimi përmes kulturës” si, “Arkeologu i vogël”, “Muzeu im” dhe “Vizatoj historinë”. Dy prej këtyre aktiviteteve “Muzeu im” dhe “Vizatoj historinë” janë përshtatur për tu zhvilluar online dhe deri tani kanë pasur një impakt pozitiv realizimi i tyre.
-Kinoklubi Frankofon me shfaqjen e një sërë filmash francez për publikun shqiptar. Aktivitet i cili organizohet çdo muaj nga Ambasada e Francës në Shqipëri dhe Aleanca Franceze e Tiranës në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.
Sa është fondi i projekteve të pezulluara në total? Çfarë do të ndodh në këtë rast, si do të menaxhohen?
Një pjesë e projekteve që cituam më sipër ishin të parashikuara për tu realizuar me palë të treta ndërsa përsa i përket fondit të ekspozitave e botimeve që ne planifikojmë mendojmë që në varësi të situatës të shtyhen për tu realizuar në periudhën e dytë të vitit 2020. Muzeu Historik Kombëtar shumicën e projekteve të “Edukimit përmes kulturës” dhe ekspozitave i realizon me fondet e veta të caktuara që në fillim të vitit si dhe nga përfitimi 30% i të ardhurave dytësore. Aktualisht nuk kemi fonde të pezulluara nga mosorganizimi i aktiviteteve të institucionit tonë. Mund të themi se kemi vetëm humbje financiare nga mbyllja e muzeut për vizitorët, si dhe anulimi i pronotimeve të sallave me qira të institucioneve, subjekteve ose individë të veçantë për organizimin e aktiviteteve apo ekspozitave të ndryshme.
Cilat janë iniciativat e institucionit tuaj këtë periudhë për të qenë pranë publikut, edhe pse jo drejtpërdrejtë?
Gjatë kësaj periudhe Muzeu Historik Kombëtar ka ndërmarrë disa projekte për tu punuar nga shtëpia, si: 1). Rubrikat “Krijo skulpturën tënde”; “Ndërto mozaikun tënd”; Ngjyrosja e objekteve të fondit të Muzeut Historik Kombëtar; “Muzeu im”; “Vizatoj historinë nga shtëpia”; “Udhëtim në thesaret e Muzeut Historik Kombëtar” me publikimin e videove prezantuese për objektet e ekspozuara në pavijonet e muzeut; Prezantimi i fotove të objekteve të ekspozuara në pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar, nëpërmjet rubrikës “Pjesë nga thesari i një kombi”; Pasurimi i faqes së Facebook të Muzeut Historik Kombëtar me postime të datave, figurave apo ngjarjeve më të rëndësishme të historike të Shqipërisë.
Nëse kjo situatë do të zgjatë a keni një plan rezervë?
Nëse situata e mbylljes dhe distancimit fizik do të zgjasë jemi duke menduar për zhvillimin e disa prej aktiviteteve të planifikuara live për ndjekësit tanë në Facebook apo dhe Instagram, si dhe prezantimin e punës kërkimore shkencore rreth objekteve tona që dhe në këto momente është duke u zhvilluar. Do të vazhdohet me bashkëpunimin në platformat muzeale on line të Balkan Museum Netëork dhe NEMO ku jemi anëtarë prej disa vitesh. Gjithsesi të gjitha këto masa do të zbatohen në varësi të masave që do të merren në vazhdimësi nga Ministria e Shëndetsisë dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Dhe së fundmi, pagat e punonjësve të institucionit tuaj (artistë apo administratë), janë prekur (apo përgjysmuar) deri më tani nga iniciativat e qeverisë?
Qeveria shqiptare e ka bërë të qartë që nuk do të kishte mospagesë të rrogave në sektorin shtetëror madje hartoi dhe paketën financiare për të ndihmuar sektorin privat. Në këtë drejtim pagat e punonjësve u paguan 100% për muajin mars 2020.