Pezullohet hetimi për vrasjen e ish-policit Bilali, shpëtojnë Cukali, Xhabafti dhe Xhetani

8 Korrik 2020, 12:33| Përditesimi: 8 Korrik 2020, 15:21

  • Share

Dy muaj më parë prokuroria e Tiranës, ka dërguar kërkesën në gjykatën e kryeqytetit për pushimin e ndjekjes penale për Gjergj Cukalin, Albert Xhabaftin dhe Arben Tiranën alias (Xhetani),si personat e dyshuar dhe arrestuar nga policia për vrasjen e ish-policit Arben Bilali. Ngjarja e ndodhur në 30 janar 2019, përpara shtëpisë së Bilalit, sot nuk ka asnjë autor të identifikuar dhe arrestuar. Tre personat e mësipërm të dyshuar si autorë janë lënë të lirë gati një vit më parë, ndërsa tashmë prokuroria ka kërkuar në gjykatë pushimin e ndjekjes penale për Albert Xhabaftin, Arben Tiranën dhe Gjergj Cukalin. Cukali u arrestua nga policia si personi ekzekutues me pagesë të Bilalit, por një dyshim i tillë nuk është arritur të zbulohet gjatë veprimeve hetimore.

Dosja që flet për vrasjen e ish-policit Arben Bilali, tashmë është pezulluar dhe kthyer policisë për veprime të mëtejshme operative. Në shtator 2019, pas vetëm 4 muajve në qeli Cukali, u lirua nga burgu nga gjykata e Apelit me trupë gjykuese Alaudin Malaj, Elbana Lluri dhe Gentian Shala. Gjergj Cukali, i njohur si i “forti i Myslym Shyrit”, u arrestua si një nga të dyshuarit kryesor të vrasjes së ish-efektivit Arben Bilali për shkak se gjurmët e gjetura në një bidon plastik uji brenda mjetit të braktisur të autorëve përputheshin me të tijat, provë kjo e cila nuk ishte bindëse për gjyqtarët e Apelit të Tiranës, duke i rikthyer atij lirinë. Dy gjyqtarët që kanë dhënë “ok” për lirimin e Cukalit, Alaudin Malaj, Elbana Lluri kanë nxjerrë të paligjshëm procedurën e kryerjes së analizës së ADN-së së pështymës së Cukalit që u gjet brenda në makinën e vrasësve të ish-policit, duke e krahasuar atë me mostra të vjetra pështyme që i janë marrë këtij personi kur është arrestuar disa vite më parë.

Po kështu dy gjyqtarët e mësipërm nxorën “nul” edhe faktin se këqyrja e automjetit tip Benz që është përdorur nga autorët për vrasje, nuk është bërë në vendin ku është gjetur por mjeti sipas gjykatës është transportuar me karrotrec në një garazh të policisë, aty ku është bërë dhe këqyrja e mëtejshme e mjetit. Ish-efektivi policisë Arben Bilai u ekzekutua më 30 janar 2019 teksa zbriti nga një makinë në zonën e Tiranës së Re pak para se të futej në banesë, ndërsa nga ai moment asnjë autor është në pranga dhe i dyshuari Cukali është lënë i lirë. Arben Bilali ka qenë punonjës policie te komisariati nr.2 në kryeqytet dhe pjesë e repartit të FNSH-së, detyra nga të cilat është larguar disa vite më parë.

Gjergj Cukali dhe ish-polici Arben Bilali

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?