Enti Rregullator i Energjisë ka pezulluar procedurën për licencimin e shoqërisë “Fier Thermoelectric” për ndërtimin e termocentralit në Roskovec, Fier me kapacitet 170 megavat.
Procedura e licencimit që nisi në qershor të këtij viti është pezulluar më 7 gusht, dhe vendimi i ERE tashmë është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe është zyrtarisht në fuqi.
Në vendim ERE ka sqaruar se aplikimi për licencim nga ana e kompanisë nuk shoqërohej me dokumentacion të plotë dhe i është bërë kërkesë për plotësim.
Edhe pas kërkesës së ERE-s për plotësim dokumentacioni, përsëri shoqëria “Fier Thermoelectric” nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat, ndaj më 27 korrik ka kërkuar shtyrje afati për të marrë lejen e përdorimit të basenit ujor.
“Me shkresën e protokolluar në ERE me nr. 1763/7 prot., datë 29.7.2025, shoqëria ka referuar se është e angazhuar për të plotësuar të gjithë dokumentacionin e aplikimit, por në lidhje me marrjen e autorizimit dhe lejes përkatëse për përdorimin e burimit ujor në zbatim të VKM-së nr. 319, datë 11.6.2025, “Për miratimin e formularëve të kërkesës për përdorim burimi ujor, dokumenteve shoqëruese, procedurës së shqyrtimit të vendimmarrjes, formateve të lejes, autorizimit, kushteve të posaçme dhe afateve të vlefshmërisë së tyre”, afati ligjor shkon deri në 180 ditë për një leje/autorizim. Në këto rrethana, shoqëria ka paraqitur kërkesën e saj për të shtyrë afatin e plotësimit të dokumentacionit të kërkuar, duke marrë parasysh afatet ligjore për sigurimin e lejeve pranë AMBU-së, periudhë brenda të cilës shoqëria do të plotësojë dhe dokumentacionin e munguar të aplikimit”, thuhet në vendim.
Po ashtu i është kërkuar opinion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për këtë projekt, por nuk kanë marrë një përgjigje.
“Me shkresën nr. 1763/3 prot., datë 12.6.2025, ERE ka njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) për fillimin e kësaj procedure, duke i kërkuar të bëjë me dije nëse ka një qëndrim tjetër, në lidhje me vlefshmërinë e kontratës dhe të drejtën e shoqërisë për ndërtimin dhe shfrytëzimin e këtij burimi gjenerues. Nga ana e MIE-s nuk ka pasur kthim përgjigjeje”, thuhet në vendim.
Gjatë shqyrtimit të kërkesës për licencim, është zhvilluar një seancë dëgjimore me ambientalistë të cilët kanë ngritur disa pretendime për ndotjen e mjedisit, të ujërave dhe për shterimin e burimeve ujore. Gjatë shqyrtimit të këtyre pretendimeve të mbështetura në prova e dokumente nga eksperti Lavdosh Ferruni dhe shoqata ‘Zharrëza’ u mësua se këto pretendime ishin pjesë edhe të një procesi gjyqësor.
“Z. Ferruni bëri me dije gjatë seancës se disponon prova dokumentare në mbështetje të pretendimeve të tij, një pjesë të të cilave i ka depozituar pranë protokollit të ERE-s pas seancës dëgjimore, të protokolluara me nr. 2018/6 prot., datë 29.7.2025, ndërsa për pjesën tjetër u angazhua t’i paraqesë, në formën e kërkuar nga ligji, brenda datës 1.8.2025. - Po ashtu, shoqëria, pas sqarimeve të dhëna në seancë se çështjet e ngritura në kuadër të komenteve apo objeksioneve të paraqitura në ERE bëjnë pjesë në proceset gjyqësore mes palëve, me shkresën e protokolluar në ERE me nr. 2018/7 prot., datë 31.7.2025, ka paraqitur sqarimet dhe dokumentacionin përkatës në lidhje me këto procese gjyqësore”, vijon vendimi.
Ndaj Enti Rregullator i Energjisë ka vendosur pezullimin e licencimit derisa të ketë një vendim të formës së prerë.
“Në përputhje me nenin 66, pika 1, të ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative”, kur organi publik që zhvillon procedurën përballet me një çështje, zgjidhja e së cilës është parakusht për përfundimin e saj dhe që përbën një çështje ligjore të pavarur, për zgjidhjen e së cilës është kompetente një gjykatë ose organ tjetër (çështje paraprake), ai pezullon procedurën deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë për çështjen paraprake dhe njofton palët në lidhje me këtë”, thuhet në vendim.
Më 18 dhjetor 2024 qeveria miratoi ndërtimin e termocentralit, projekt që do të realizohej nga shoqëria greko-shqiptare “Fier Thermoelectric” sh.a e cila aksionerë ka kompaninë greke GEK TERNA Holdings me 70% të aksioneve dhe GENER 2 zotëron 30% të aksioneve.
Gener 2, pronë e biznesmenit Bashkim Ulaj, ka lidhje të ngushta me Sali Berishën, çka i ka mundësuar të fitojë vazhdimisht tendera dhe koncesione publike pa pasur pengesa as akuza.
Ky projekt synon te zhvillojë ndërtimit dhe funksionimin e Termocentralit me Turbinë Gazi me Cikli të Kombinuar, me gaz natyror si lëndë djegëse, me kapacitet 170 MË.
Vendndodhja e impiantit parashikohet të jetë në zonën e Roskovecit dhe pranë Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP) dhe pranë Rrjetit Elektrik të Tensionit të Lartë. Vendndodhja e projektit te propozuar shtrihet ne një zonë rurale , pjese administrative e Bashkisë Roskoves, Qarku Fier. Ajo gjendet e distancuar rreth 3 km ne vije ajrore larg qytetit te Roskovecit dhe më pak se 700 metra larg fshatrave Jagodine dhe Suk i Siperm (Suk1).
Për këtë projekt ka pasur protesta edhe nga banorët e zonës të cilët e konsideronin shkatërrues për ekonominë e tyre dhe të rrezikshëm për shëndetin.
Kundër këtij projekti është shprehur edhe ish-presidenti Ilir Meta, i cili akuzoi kompaninë se kishte hapur kantierin e ndërtimit pa leje.
Njoftimi për fillimin e procedurave të licencimit
Kliko këtu për të lëxuar vendimi për pezullimin e procedurës së licencimit
Komente
