Përfundimi i procesit të rindërtimit nga tërmeti në Bashkinë Lezhë, duket ende larg. Puna për ndërtimin e 41 banesave individuale është pezulluar prej disa muajsh, pasi firma që ka fituar tenderin “Malvini shpk” është tërhequr, për shkak të rritjes së kostos së materialeve të ndërtimit, duke kërkuar shtim të fondit.
Nënkryetari i Bashkisë Lezhë Ermal Pacaj tha se po punohet për ti dhënë zgjidhje të shpejtë kësaj situatë.
“Përkohësisht jemi të stopuar për ndërtimin e shtëpive individuale, sepse kompania u tërhoq nga tenderi. Po bëhemi gati për ritenderim dhe jemi në proces me Ministrinë e Infrastrukturës, mendoj se do i japim zgjidhje shpejt”, tha Ermal Pacaj, n\kryetar i bashkisë Lezhë.
Bashkia Lezhë garanton të gjitha familjet e ngelura të pastreha nga tërmeti se do të trajtohen me bonusin e qirasë, deri në rindërtimin e shtëpive.
“Kemi kontakt me familjet që jetojnë në çadër, por dua të theksoj se ne e japim çdo muaj bonusin e qirasë dhe do vazhdojmë ta japim derisa të kryhet procesi i rindërtimit. Të gjithë vazhdojnë ta marrin bonusin dhe askush nuk është lënë në mëshirë të fatit”, thekson ai.
Shumë familje të ngelura të pastreha nga tërmeti po jetojnë në kushte mjaft të vështira. Ndonëse trajtohen me bonusin e qirasë nuk kanë mundur të largohen nga fshati pasi e kanë të lidhur jetesën me bujqësinë dhe blegtorinë, ndërsa kërkesa e tyre e vazhdueshme është rindërtimi sa më parë i shtëpive private.
Bashkia e Lezhës është një ndër zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, i cili la të pastrehë 246 familje. Sipas të dhënave zyrtare, deri tani kanë hyrë në apartamentet e reja 198 familje dhe 207 familje kanë marrë pjesën e parë të grantit për t’i ndërtuar vetë shtëpitë.