Bota

Pheniani: Jemi të gatshëm të rihapim bisedimet me SHBA

10 Shtator 2019, 14:49| Përditesimi: 10 Shtator 2019, 14:57

  • Share

Koreja e Veriut tha të hënën se është e gatshme të rihapë bisedimet për çnuklearizimin me Shtetet e Bashkuara në fund të shtatorit, por paralajmëroi se Uashingtoni duhet të dalë me ide të reja përndryshe negociatat janë në rrezik.

Bisedimet midis Phenianit dhe Uashingtonit janë bllokuar që nga samiti i dytë në muajin shkurt midis Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në Hanoi, negociata që përfunduan në mënyrë të papritur pa një marrëveshje. Presidenti Trump hodhi poshtë kërkesën e Kim Jong Unit për zbutje të sanksioneve ekonomike amerikane në këmbim të një çnuklearizimi të pjesshëm.

Të dy udhëheqësit ranë dakord për një takim të shkurtër në muajin qershor në Zonën e Çmilitarizuar që ndan Veriun dhe Jugun për të rifilluar bisedimet në nivel stafesh, por ato ende nuk kanë filluar.

Në ofertën e re, Choe Son Hui, zëvendës ministër i jashtëm i Veriut, tha në një deklaratë të publikuar nga Agjencia zyrtare e Lajmeve: "Ne jemi të gatshëm të ulemi ballë për ballë me SHBA nga fundi i shtatorit në një kohë dhe vend për të cilin mund të biem dakord".

Por ai tha se Shtetet e Bashkuara duhet të dalin me "plan të pranueshëm”, përndryshe rrezikojnë fundin e bisedimeve. Deklarata synon me sa duket të nxisë Shtetet e Bashkuara për t’i bërë lëshime Koresë së Veriut, siç mund të ishte një zbutje e sanksioneve ekonomike.

SHBA ende nuk i është përgjigjur deklaratës së Koresë së Veriut, megjithëse Uashingtoni ka shprehur gatishmëri për të rifilluar bisedimet dhe ka vendosur objektivin për çnuklearizimin e gadishullit korean deri në fund të mandatit të parë të Presidentit Trump në janar 2021.

Në samitin e tyre të parë më shumë se një vit më parë në Singapor, Trump dhe Kim miratuan një deklaratë ku bënin thirrke për "çnuklearizimin e plotë të gadishullit korean".

Presidenti Trump u kthye nga Singapori në Uashington, me deklaratën: "Nuk ka më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut. Flini të qetë sonte!"

Por që nga ajo kohë asgjë nuk ka ndodhur për të treguar se Koreja e Veriut po e çmonton arsenalin e saj bërthamor. Përkundrazi, një raport i Kombeve të Bashkuara javën e kaluar thoshte se Veriu nuk e ka ndalur prodhimin e mbushjeve bërthamore.

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?