Hijeshia dhe madhështia e muzikës klasike është përcjellë mbrëmjen e së premtes në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit përmes tingujve të Verdi-t, Puçini-t e Tchaikovsky-t, ndërsa për të pranishmit ka ardhur premierë absolute për herë të parë në Shqipëri edhe vepra “Alla valle del fiume Crati” e kompozitorit arbëresh Salvatore Frega. Koncerti ka risjellë për publikun shqiptar pianistin italian Giovanni Bertolazzi, i cili interpretoi me në krah orkestrën simfonike të TKOB-it, nën dirigjimin e Andrea Solinas.
“Është një kënaqësi e madhe të jem sërish në Tiranë në këtë teatër të mrekullueshëm, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Kur u futa në këtë sallë pata një ndjesi të veçantë sikur gjithmonë kam pasur kontakt me shqiptarët, popullin shqiptar, një vend i jashtëzakonshëm që gjithmonë rritet. Isha këtu gjashtë muaj më parë dhe interpretova koncertin nr. 3 të Rachmaninoff. Edhe pas gjashtë muajsh në qytet sheh shumë gjëra të reja.", - tha për "Report TV", pianisti Bertolazzi.
Sipas Bertolazzi-t, Solinas është një dirgjent që i frymëzon muzikantët, ndërkohë që koncerti i parë i Tchaikovsky-t është prezantim i një prej faqeve më të bukura të periudhës romantike.
“Është kënaqësi për mua të jem në Tiranë për herë të parë. Projekti vë në pah mes të tjerash rëndësinë e muzikës italiane. Do të kemi mundësi të dëgjojmë një nga faqet më të rëndësishme të romantizmit italian. Është hera e parë që punoj me muzikantë shqiptarë. Jam vërtet entuziast për muzikalitetin e tyre, dëshirën për të mësuar dhe për të ndërtuar një projekt të ri me një dirigjent të ri.”, - tha dirigjenti Andrea Solinas.
Koncerti, i realizuar në Kuadër të Javës Italiane të Kulturës u prit me entuziazëm nga të pranishmit, ndërkohë që Bertolazzi “surprizoi” edhe me interpretimin e një pjese të kompozuar nga Aulon Naçi. Krahas kënaqësisë që i dhuruan publikut me interpretimin e tyre, kompozitori Salvatore Frega dhe pianisti Giovanni Bertolazzi zhvilluan edhe një masterclass për studentët e Universitetit të Arteve.
Komente
