Mbrëmjen e fundit të janarit, qendra “Harabel”, bëhet mikëpritëse e artit pamor të dy vendeve fqinjë… Shqipërisë e Italisë.
“Kjo është një iniciativë shumë e rëndësishme për “Harabel” dhe Universitetin e Arteve”, shprehet Ajola Xoxa, themeluese e platformës “Harabel” dhe kuratore e ekspozitës.
Ekspozita “Piccolo Mare”, e mbajtur në bashkëpunim me Akademinë e Arteve të Bukura në Leçe, mirëpret vepra fituese të përzgjedhura nga konkursi i Çmimit Kombëtar të Arteve në edicionin e tij të 16-të në Itali, si dhe punë të studentëve të Universitetit të Arteve në Shqipëri.
“Rreth 500-600 studentë të arteve të bukura paraqesin punimet e tyre më të mira dhe nga ata përzgjidhen afro 15 fitues. Ishte ideja e organizatorëve për ta sjellë këtë ekspozitë në Tiranë, dhe më pas ne propozuam që të shtonim edhe studentë të Universitetit të Arteve në Tiranë”, shton Xoxa.
Nisma synon të rrisë shkëmbimin kulturor mes dy vendeve duke krijuar përmes artit pamor mënyra të reja bashkëpunimi dhe njohjeje reciproke të asaj që ndodh përtej detit.
“Natyrisht, hapja ndërkombëtare e kësaj ngjarje të artit, mendoj se është një moment i mirë reflektimi mbi ato që janë aspekte thelbësorë të edukimit, të prodhimit artistik dhe në mënyrë të veçantë të promovimit të artit”, shprehet Nunzio Fiore, drejtor i Akademisë së Arteve të Bukura në Lecce.
“Ne përgjatë këtyre ditëve po punojmë edhe mbi një marrëveshje për të ndërtuar një diplomë dypalëshe, që studentët të kenë mundësi të udhëtojnë në të dy krahët e Adriatikut”, thotë Artan Peqini, dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura.
Ekspozita e shtrirë edhe në galerinë “Fab” do të qëndrojë e hapur deri në 14 shkurt.