Që prej 4 janarit, Bashkimi Europian ka ndaluar me ligj përdorimin e mbi 4 mijë pigmenteve në tatuazhe, pas shtimit të rasteve me kancer, alergjive të rënda të lëkurës, e deri tek dëmtimi i strukturës së ADN-së.
“Tatuazhet janë kthyer vit pas viti në një trend modern, kryesisht për adoleshentët të cilët rrëmbehen nga dëshira për të patur një të tillë, por a janë të rrezikshme tatuazhet?”
Mungesa e sterilitetit dhe përdorimi i pigmenteve të pacertifikuara, për dermatologen Erjona Shehu, janë shkaqet kryesore të inflamacioneve të rënda deri në infektimin me hepatite apo HIV/AIDS.
“Zona ku aplikohen tatuazhet, falë traumës por edhe bojës që aplikohet në të, mund të kthehet në një vatër e cila vazhdimisht bëhet vulnerabël, priret vazhdimisht që të vuajë nga deramtite të ndryshme por edhe të bëjë mbiinfeksione të herëpashershme”, thotë dermatologia.
E po aq të rrezikshme, janë edhe tatuazhet me ngjitje që përdorin fëmijët.
“Pikërisht në zonën ku kanë vënë këto tatuazhet kanë bërë dermatite irritative kontakti”, vijoi ajo.
Selim Çela, drejtues i një studioje tatuazhesh thotë se fluksi i klientëve është i lartë, madje edhe nën moshën 18 vjeç, teksa jep garanci për sigurinë e pigmenteve që ai përdor.
“Moshat e vogla i aknë shuëm dëshirë tatuazhet por ne nuk i bëjmë, domethënë i refuzojmë. Kjo është boja është elementare që përdoret tek tatuazhet. Është shumë e sigurt sepse është firmë botërore. Kjo është një pako gjilpërash dhe janë si gjilpërat që bëhen tek trupi i njeriut. Janë të izoluara”, u shpreh Çela.
Megjithatë dermatologia Shehu, ka një këshillë për të gjithë ata që duan të pikturojnë mbi trupin e tyre.
“Përpara se ne të shpresojmë tek autoritetet t’ia lëmë më mirë në dorë informacionit që merr gjithsecili prej nesh”, tha Shehu.